Ligjvënësit amerikanë të të dy partive kryesore politike, po shtojnë presionin mbi administratën e Presidentit Bidenit për ta përcaktuar Rusinë si një shtet që sponsorizon terrorizmit.
Një rezolutë, që i kërkon Sekretarit të Shtetit të bëjë këtë përcaktim, është paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve në një kohë kur Kongresi është i predispozuar të ndëshkojë Moskën për luftën e saj kundër Ukrainës.
Propozuar nga republikani Joe Wilson nga Karolina e Jugut dhe demokrati Ted Lieu nga Kalifornia, rezoluta synon të shtojë Federatën Ruse në listën që përfshin Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë dhe Kubën.
“Terrori rus duhet të ndalet,” tha ligjvënësi Wilson në një deklaratë.
Demokrati Ted Lieu tha se përcaktimi i Rusisë si një shtet terrorist do të jetë një përpjekje e mëtejshme për të ndëshkuar Rusinë për sulmin e saj në Ukrainë.
“Me këtë përcaktim, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të ndalojnë eksportet me përdorim të dyfishtë në Rusi dhe të ndërmarrin veprime ekonomike kundër vendeve të tjera që bëjnë biznes me Rusinë,” tha ai në një deklaratë.
Të dielën, udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki, i bëri thirrje Presidentit Joe Biden të vepronte. Zoti McConnell gjatë fundjavës vizitoi Kievin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
“Unë mendoj se është një ide e mirë dhe do ta mbështes atë,” u tha ai gazetarëve, sipas gazetës The Hill.
Zyrtarët dhe ligjvënësit ukrainas i kanë kërkuar me ngulm SHBA-ve ta ndërmarrin këtë hap.
“Ne besojmë se Rusia duhet të njihet zyrtarisht si një shtet sponsorizues i terrorizmit,” tha presidenti Zelenskyy gjatë takimit të tij me senatorin McConnell dhe anëtarë të tjerë të një delegacioni të Senatit.
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, i quajti përpjekjet për përcaktimin e Rusisë si shtet që sponsorizon terrorizmin, si “masa idiote”, të cilave Rusia do t’i përgjigjej.
“Ne, siç e dini, nuk lëmë asgjë pa përgjigje dhe ata duhet ta kuptojnë këtë,” tha ajo sipas një raporti të medias ruse më 28 prill.
Disa ditë përpara udhëtimit të zotit McConnell në Ukrainë, sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki iu kërkua të përgjigjej rreth rezolutës së Kongresit në një konferencë për shtyp. Ajo nuk ofroi hollësi, por vuri në dukje se shumë nga masat e lidhura me përcaktimin, janë zbatuar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.
Përveç rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve, një rezolutë dypartiake është paraqitur edhe në Senatin amerikan.
“Putini është një terrorist dhe një nga forcat më përçarëse në planet është Rusia e Putinit,” tha senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, duke prezantuar rezolutën javën e kaluar.
“Rusia e Putinit e meriton këtë përcaktim,” tha senatori Richard Blumenthal, demokrat nga Kentaki i cili është bashkëautor i rezolutës.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken u shfaq i hapur ndaj mundësisë, kur dëshmoi para Senatit në fund të muajit të kaluar.
“Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time … se rusët po terrorizojnë popullin ukrainas,” tha sekretari Blinken, sipas gazetës The Wall Street Journal. “Avokatët po shohin në mënyrë që të sigurohemi të përmbushim kërkesat ligjore të atij përcaktimi.”
Disa anëtarë të Kongresit kërkuan konsultime me aleatët përpara se të bënin përkufizimin e Rusisë si një shtet që sponsorizon terrorizmin.
“Unë mendoj se sjellja e Rusisë sigurisht e justifikon këtë përkufizim, por shumë nga forca jonë për t’iu përgjigjur pushtimit rus të Ukrainës është një përgjigje e përbashkët me aleatët tanë evropianë,” tha senatori demokrat Chris Koons, duke folur me Zërin e Amerikës. “Kjo pothuajse do të ndalonte plotësisht çdo biznes, të çdo lloji me Rusinë.”
Sipas Departamentit të Shtetit, nga ky përcaktim, Rusia do të përballet me katër lloje sanksionesh: “kufizime për ndihmën e huaj të SHBA-së; ndalim të eksporteve dhe shitjeve të materialeve ushtarake; masa kontrolli mbi eksportet e artikujve me përdorim të dyfishtë; si dhe kufizime të ndryshme financiare dhe të tjera. ”
“Shtimi i Rusisë në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, do të ishte “opsioni ekonomik bërthamor” dhe një goditje e saktë kundër egos së Putinit,” shkruan në një koment në gazetën “Los Angeles Times”, Jason M. Blazakis, profesor në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare Middlebury. Zoti Blazakis, drejtoi Zyrën e Financave dhe Emërtimeve kundër Terrorizmit të Departamentit të Shtetit në Byronë e Kundërterrorizmit nga viti 2008 deri në 2018.
Ai shpjegon se Departamenti i Shtetit mund të shtojë një vend në listë, pasi të japë “të paktën dy shembuj të terrorizmit të mbështetur nga ky shtet”.
“Ne nuk duhet të kërkojmë shumë larg, për të gjetur një shembull të qartë. Edhe sot, Rusia i ofron strehë një grupi të përcaktuar si terrorist nga SHBA, siç është Lëvizja Perandorake Ruse, e cila vepron pa u ndëshkuar në territorin rus. Është një grup, që ka trajnuar terroristë për të kryer një sulm në Suedi dhe ka shërbyer si një forcë përfaqësuese e Rusisë në Krime”, shkruan zoti Blazakis.
Të dyja rezolutat, të paraqitura në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, renditin shembuj të shumtë të aktiviteteve të Rusisë, që mund të cilësohen si terrorizëm i sponsorizuar nga shteti, siç janë veprimet e saj në Ukrainë, Çeçeni, Siri dhe vende të tjera.
“Është e rëndësishme të përdoret çdo mjet në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe që komuniteti ndërkombëtar të mbajnë përgjegjës Putinin dhe Rusinë”, thotë Jonathan Katz, bashkëpunëtor në Fondin Gjerman Marshall, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
Ai shton se “Rusia dhe zoti Putin dhe veprimet që kanë ndërmarrë në Ukrainë dhe globalisht, përputhen me kriteret e vendosura dhe ata duhet të etiketohen si sponsorizues të terrorit”.
Lituania është vendi i parë, përveç Ukrainës, që e njeh Rusinë si sponsor të terrorizmit. Të martën, më 10 maj, parlamenti i vendit e përcaktoi Federatën Ruse si sponsorizues të terrorizmit dhe i njohu veprimet e saj në Ukrainë si gjenocid.
“Nëse më shumë shtete njohin veprimet e Rusisë si gjenocid dhe Rusinë si një shtet terrorist, mund të shfaqet më shumë vullnet politik për ta dëbuar Rusinë nga të gjitha formatet ndërkombëtare, politike, kulturore, sportive, etj. Vendet që ende dyshojnë duhet të miratojnë sanksione më të ashpra, të furnizojnë me më shumë armë Ukrainën, etj.”, tha Paulius Saudargas, nënkryetar i parlamentit të Republikës së Lituanisë në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e quajti rezolutën e parlamentit lituanez një “hap ekstremist”.
Leonid Slutsky, kreu i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare të dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë, tha se “rezoluta nuk ishte ligjërisht e detyrueshme dhe se ajo thjesht përsëriste ato, që ai i quajti, pikëpamjet rusofobike të Shteteve të Bashkuara”, sipas agjencisë Reuters./VOA/