Zjarrfikësit arrijnë të shuajnë zjarrin në katedralen Notre Dame

schedule10:08 - 16 Prill, 2019

schedule 10:08 - 16 Prill, 2019

Pas gati 9 orë luftë me flakët zjarri i rënë në katedralen Notre Dame në Paris është shuar.

Zjarri shkaktoi dëme të mëdha ndërtesës së shekullit të 12-të, duke shkatërruar çatinë kryesore dhe kullën me majë të saj. Megjithatë dy kullat kryesore, në fasadën qendrore të katedrales mbetën të paprekura

Këtë mëngjes kryeqyteti francës është gdhire me dhimbjen e historisë së shkatërruar, por dhe me besimin se ky monument historik e kulturor gati 9 shekullor do të rindërtohet.

Ministri i kulturës në Francë deklaroi sot në mëngjes gjatë një interviste për Radio France International se shteti do të mbajë peshën e tij të përgjegjësisë për rindërtimin  e katedrales Notre Dame pas zjarrit të djeshëm  dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme.

Ishte një ngjarje e pazakontë dhe tragjike”-deklaroi ministri francez.

Ai shtoi se nga gjithë bota ka një energji dhe vullnet të madh për të ndihmuar për rindërtimin e kësaj vepre, ndaj i takon shtetit ti mbështesë këto energji pozitive.

Shumë subjekte private, donatorë të ndryshëm kanë nisur dhurimet e para të shumave që shkojnë në miliona euro për rindërtimin e katedrales historike.

Struktura  e pjesës së mbetur të katedrales është ende e pasigurt. Ndaj së pari do të vijojë puna për garantimin e saj.

Prokuroria në Paris ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, por deri tani besohet se punimet për rikonstruksionin e katedrales mund të kenë lënë shkak për ndonjë shkëndijë që ka ndezur flaket.

Ndërtesa është e njohur për figurat mitologjike prej guri, dritaret prej qelqi të ngjyrosura dhe trarët karakteristikë që mbajnë muret. Struktura prej druri në pjesën e kupolës ka favorizuar flaket e zjarrit dhe e ka bere edhe më të vështirë punën e zjarrfikësve për fikjen e zjarrit. Dy policë dhe një zjarrfikës kanë mbetur të lënduar gjatë operacionit për shuarjen e flakëve.

Presidenti Macron, mbrëmë nga vendi i ngjarjes shprehu solidaritet dhe mbështetje për gjithë ata që luftuan për të shpëtuar katdralen Notre dame

Këtë Katedrale, mbi 800 vjeçare, ne kemi ditur ta ndërtojmë, dhe mes shekujsh ta zmadhojmë e përmirësojmë. Këtë katedrale, ne do ta rindërtojmë të gjithë së bashku”, tha presidenti francez.

Edhe kreu i Vatikanit, përmes një mesazhi të shpërndarë sot në mëngjes, gjendet pranë me francezët në këtë ngjarje të rëndë.

«Papa është pranë Francës dhe lutet për katolikët francezë dhe gjithë popullsinë e Parisit , në shok dhe tmerr nga zjarri që shkatërroi katedralen  Notre-Dame” thuhet në një mesazh të zyrës së shtypit të selisë së shenjtë./abcnews.al