Kërkoi të apelonte vendimin, por iu refuzua. Ky është vendimi i gjykatës britanike për Ali Qazimaj, i cili është dënuar me 35 vjet burg për vrasjen e një çifti në Weybread. Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2016, ndërsa 45-vjeçari, i cili jetonte në Tilbury, u dënua një vit më vonë.
Trupi i 75-vjeçarit Peter Stuart u gjet në një gropë pranë një pylli afër shtëpisë së tij në Qershor të 2016-s. Mediat britanike raportuan se, ai ishte goditur 9 herë me thikë. Ndërkohë, trupi i gruas së tij, Sylvia nuk u gjet kurrë.
Qazimaj kishte shkuar në Britaninë e Madhe në vitin 1999 dhe kishte kërkuar azil. Gjatë gjyqit ndaj tij, 45-vjeçari pretendoi se ai ishte viktimë e ngatërrimit të identitetit. Gjithashtu ai këmbëngulte se nuk kishte shkelur ndonjëherë në Britani përpara se të ekstradohej nga Luksemburgu. Ai pretendonte se ishte shqiptar, por quhej Vital Dapi.
Ky rast e ka tronditur thellë komunitetin lokal atë kohë. Mediat britanike shkruajnë se rreth vrasjeve është realizuar një dokumentar. Në të ka intervista të policëve, banorëve të zonës dhe njerëzve që njihnin Qazimajn.
Dokumentari synon të hedhë dritë mbi çështjen e cila vazhdon të jetë e hapur edhe sot, për shkak se nuk është gjetur trupi i Sylvia Stuart./abcnews.al