Ndërsa Presidenti rus, Vladimir Putin mbajti fjalimin e tij për “Ditën e Fitores” në Moskë, Presidenti I Ukrainës, Volodymyr Zelensky publikoi video-mesazhin e tij.
“Ne po luftojmë për lirinë e fëmijëve tanë, prandaj ne do fitojmë”, tha ai.
“Ne kurrë nuk do ta harrojmë atë që bënë paraardhësit tanë ë Luftën e Dytë Botërore, e cila vrau më shumë se 8 milionë ukrainas. Shumë shpejt do të ketë 2 Ditë Fitoreje në Ukrainë. Dhe dikush nuk do të ketë asnjë”, shtoi Zelensky.
“Ne fituam atëherë, do të fitojmë tani. Gëzuar Ditën e Fitores mbi Nazizmin”, përfundoi mesazhi i Presidentit ukrainas.
Në fjalimin e tij në sheshin e Kuq, Putin tha se Rusia duhet të sigurojë se “tmerri i një lufte globale mos të përsëritet më kurrë”. Putin gjithashtu iu referua vendeve të NATO-s, duke thënë se Rusia ishte përpjekur “më kot” të bënte kompromis për çështjet e sigurisë.
“Vendet e NATO-s nuk donin të na dëgjonin, kjo do të thotë se në realitet ata kishin plane krejt të ndryshme,” theksoi ai.
Ai e akuzoi NATO-n, se po përgatitej për një operacion në rajonin Donbas të Ukrainës dhe të Krimesë, duke theksuar kërcënimin në kufijtë e Rusisë. Lufta kundër Ukrainës ishte një “goditje parandaluese kundër agresorit”, tha ai.
Ai e mbylli fjalimin me fjalët: “Lavdi forcave tona të armatosura, për Rusinë, për fitoren!”/abcnews.al/