Vijojnë akuzat në distancë mes Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi dhe anëtarit të Këshillin Kombëtarë të PD-së Myslym Murrizit. Pas akuzave të bëra ndaj tij nga Murrizi, Bardhi shprehet se kushdo që ka probleme me drejtësinë, e gjen strehën tek “partia e Berishës”.
“Kushdo ka probleme me drejtësinë ka tashmë strehën e tij; partia e SB. Ky i fundit i jep titullin “opozitar i vërtetë”, duke mohuar vetveten dhe duke i trajtuar demokratët si njerëz pa memorie. Mos u habisni që të strehojë edhe ER dhe ta shpall “opozitar të vërtetë”, shkruan Bardhi.
Murrizi fillimisht ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të Bardhit, i cili e akuzoi se kur ishte deputet ka bashkuar votat me Edi Ramën. Në një postim në rrjetet sociale, Myslim Murrizi, thotë se nuk ka votuar asnjë ligj të qeverisë, me përjashtim të atyre që ai i konsideron të rëndësishme, siç janë ndryshimet kushtetuese për listat e hapura.
/abcnews.al