Kola: Futbolli i femrave po zhvillohet, këto vajza kanë të ardhme

schedule10:31 - 30 Prill, 2022

schedule 10:31 - 30 Prill, 2022

Një tjetër turne zhvillimor do të zhvillohet në vendin tonë javën e ardhshme, teksa këtë herë do të jetë radha e ekipit Kombëtar U-16 për femra të zbresë në fushë e të tregojë forcën e saj. Nën drejtimin e trajnerit Agustin Kola, skuadra ka nisur që prej mesditës së sotme grumbullimin për t’u përgatitur për turneun “UEFA Development”.

Stafi i Kombëtares kuqezi, së bashku me trajnerin Kola kanë zhvilluar disa ditë më parë edhe një seleksionim për futbollistet e kësaj grupmoshe, teksa prej muajit shkurt këto vajza luajnë edhe në kampionatin kombëtar U-16.

Në një prononcim për fshf.org, në stërvitjen e parë me vajzat e vogla kuqezi, tekniku Kola vlerëson grupin e përzgjedhur që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë turne, teksa flet edhe për kundërshtaret në këtë grup.

“Grupi i vajzave të grumbulluara është i moshës 16 vjeçe. Në seleksionimin e bërë disa ditë më parë, kam parë vajza të përgatitura, pasi tashmë luajnë edhe në kampionatin e kësaj grupmoshe. Është një grup i bukur dhe shoh që stërviten çdo ditë. Kundërshtarët? – E kanë nisur më herët se ne futbollin e femrave, ndërsa ne u bë pak vite që e kemi nisur, por shoh zhvillim te futbolli i femrave dhe në stërvitje, por shoh edhe agresivitet”, – thotë Kola për fshf.org.

Më tej, trajneri shqiptar thekson se synimet e ekipit janë të përgatisin sa më shumë lojtare të reja për ekipet kombëtare, ndërsa vlerëson edhe turneun zhvillimor që UEFA i ka besuar sërish FSHF-së, fill pas organizimit të një turneu të ngjashëm disa javë më parë për djem U-16.

“Nuk i kërkohet objektiva ekipit në këtë moshë. Këto vajza kanë një të ardhme, të stërviten që të ecin përpara, të luajnë futboll, të mësojnë të luajnë dhe objektivi ynë kryesor është t’i çojmë sa më shumë lojtare ekipeve kombëtare. Rëndësia e këtij turneu – Çdo turne që zhvillohet është sukses edhe për ne që luhet në vendin tonë. Do të luajmë me ekipe që kanë emër, që kanë vite që kanë krijuar ekipin e femrave dhe krijojmë edhe ne përvojë dhe kjo është arritje”, – përfundon Agustin Kola. / fshf.org