Është drejt përfundimit Spitali i ri i Kirurgjisë, shërbim i cili do të riorganizohet tërësisht. Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektoi kantierin e ri, pjesë e master-planit që synon të modernizojë shërbimet kirurgjikale në këtë spital.
Në qershor do të jetë gati spitali kirurgjikal në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. 120 shtretër, 7 salla një laborator histologjik, 7 shtretër të tjerë për terapinë intensive dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë, janë investimi i qeverisë shqiptare nëpërmjet kredisë së Bankës së Këshillit të Evropës.
“Këtë vit kemi alokuar nga buxheti i shtetit 3.8 milion dollarë për të mobiluar të gjithë hapësirat e nevojshme për të filluar puna sa më shpejt”, thotë ministrja.
Sipas ministres së shëndetësisë planifikohet që kapaciteti për 7 sallat të jetë rreth 9 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit.
Me përdorimin e instrumenteve modernë kirurgjikalë dhe sterilizimin me metoda bashkëkohore, shërbimi i Kirurgjisë në QSUT do të ofrohet me një standard të ri për qytetarët e informuan mjekët kryeministrin Edi Rama.
“Kjo e mbyll komplet ciklin për infeksionet spitalore, sidomos infeksionet kirurgjikale. Me veglat e reja dhe me këtë lloj organizimi jemi në standardet europiane”, thanë mjekët.
“Ka 50 vjet, hera e parë që investohet për kirurgjinë e përgjithshme”, shprehet një tjetër mjek kirurg.
“Si hapësirë, si atmosferë është komplet tjetër nga çfarë ka qenë përpara”, tha Rama.
Paralelisht me spitalin kirurgjikal po vijojnë punimet edhe për Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme i cili do të përfundojë në maj të vitit 2021. Ai do të ketë 340 shtretër në dispozicion të të gjithë shërbimeve interne, gjithashtu edhe një urgjencë të QSUT të riorganizuar edhe të alokuar në atë spital të ri, duke e bërë këtë një spital me parametra evropiane.
Përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve për modernizimin e shërbimit në QSUT janë edhe studentët e Mjekësisë, për të cilët në kuadër edhe të Paktit për Universitetin, po ndërtohen 11 salla studimi me kushte bashkëkohore, nga të cilat, dy salla në spitalin e ri kirurgjikal dhe 9 të tjera në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme.
Nga këto investime përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5,000 punonjës staf mjekësor dhe jo mjekësor, si dhe rreth 1,000 studentë të mjekësisë./abcnews.al