Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar Emmanuel Macron për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit francez, ka thënë Moska. Sipas një deklarate nga Kremlini, Putin i uroi presidentit francez Macron sukses në “veprimtaritë shtetërore, si dhe shëndet të mirë dhe mirëqenie”.
Macron mundi kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen me një diferencë të habitshme votash, duke u bërë presidenti i parë francez në detyrë në 20 vjet që rizgjidhet.
Pas konfirmimit të fitores, Macron ka marrë urime të shumta nga liderët botërorë, ndërsa në listë është shtuar edhe shefi i Kremlinit.
Putin dhe Macron kanë pasur vazhdimisht biseda për luftën në Ukrainë, pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar dy muaj më parë. Takimi i tyre në Moskë tërhoqi jo pak vëmendje për shkak të largësisë së tyre në tavolinën e bisedimeve ku u shfaqën. /abcnews.al