Interi vazhdon me serinë e fitoreve në Seria A, pasi mori të katërtën rresht, teksa ditën e sotme mposhti 3-1 Romën e Jose Mourinhos.
Një fitore që u jep frymëmarrje zikaltërve të Simone Inzaghit, pasi verdhekuqtë konsideroheshin si kundërshtari më i vështirë në rrugën drejt titullit në ndeshjet e mbetura.
Pas këtij takimi, Inzaghi do të shprehej se skuadra kishte nevojë për këtë 3-pikësh, ndërsa nuk nguroi ta quante Romën një skuadër të vështirë për t’u mundur.
“Jam mbi të gjitha krenar për përqendrimin e djemve të mi, pasi isha i shqetësuar për faktin që luanim tre ditë pas derbit të Kupës së Italisë kundër një skuadre që ishte e pamposhtur për 12 javë, me lojtarë të mëdhenj dhe në formë të mirë. Kishim një nevojë për një paraqitje të nivelit të lartë dhe lojtarët e bënë këtë”.
“Lautaro? Ai kishte nevojë vetëm për gola, kjo është e gjitha. Nuk ka qenë kurrë problem për mua. Ka pasur një moment kur ai nuk shënonte, por ishte gjithmonë aty ku duhej. Ai pushonte herë pas here, si të gjithë. Tani po bën mirë dhe duhet të vazhdojë kështu”.
“Djemtë duhet të jepnin maksimumin. Ata u rikuperuan shpejt dhe ishte fitorja e pestë radhazi që morëm, por ende nuk kemi arritur asgjë. Tani kemi një ndeshje në mesjavë kundër Bologna. Është një vrapim intensiv, arritëm edhe në finalen e Kupës së Italisë, kështu që duhet të balancojmë energjinë fizike dhe psikologjike gjatë kësaj periudhe. Duam t’i përballojmë të gjithë me kokën lart dhe me krenari”.
“Derbi i Italisë pika e kthesës? Kishim nevojë për një fitore në atë moment. Thashë se ndeshja po vinte në kohën e duhur, pasi rezultatet nuk po vinin pavarësisht ndeshjeve të mira. E pasuam atë fitore me katër të tjera, bëmë shumë mirë dhe duam ta vazhdojmë këtë moment”.
“Komunikimi me Mourinho? I uruam fat njëri-tjetrit. Mourinho është një trajner i veçantë, ai është gjithmonë shumë i sjellshëm. Para ndeshjes së Kupës së Italisë u ulëm së bashku për 45 minuta, siç nuk e kishim bërë kurrë më parë. Ai është një person i mrekullueshëm për të folur për futbollin”, ka theksuar Inzaghi. /f.a/abcnews.al