Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, thotë se çdo vend kandidat për anëtarësim në BE duhet të vlerësohet sipas përmbushjes së kritereve dhe jo bazuar në çështje historike.
Maqedonia e Veriut ka përmbushur kriteret dhe duhet të vlerësohet sipas tyre, sepse këto janë kritere reale, u shpreh sipas Stevo Pendarovski. Duke shtuar se nëse Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria përqendrohen vetëm në zgjidhjen e çështjeve historike, atëhere do të jetë vështirë të arrihet një marrëveshje.
“Nëse përqendrohemi në kriteret reale për anëtarësim në BE: sundimin e së drejtës, luftën kundër krimit, liritë e njeriut, ne mund të arrijmë shumë shpejtë një zgjidhje të pranueshme. Nëse diskutojmë nëse në shekullin XI Car Samoili ka qenë bullgar, maqedonas apo armen, atëherë është vështirë të arrijmë pajtim. Historia le t’u lihet historianëve. Unë dhe kolegu bullgar Radev nuk jemi zgjedhur për zgjidhjen e çështjeve historike, se kush çfarë përkatësie etnike ka qenë në kohën e mbretërisë së Samoilit. Ne jemi të zgjedhur nga qytetarët që të zgjidhim problemet e tanishme, standardin e jetës, investimet, jetë më të mirë për të gjithë”, tha Pendarovski.
A do të ndryshojë kushtetuta?
Në Maqedoninë e Veriut si tek pozita edhe tek opozita ekziston vullnet politik sa i përket futjes së bullgarëve në Kushtetutë. Sipas presidentit Pendrovski mbetet çështje kohe se kur do të bëhet kjo, por paraprakisht duhet një garanci, se pas kësaj pala bullgare nuk do të kërkojë përsëri ndryshimin e Kushtetutës.
“Mendoj se mënyra më e mirë për t’u arritur marrëveshje, është një formulë sipas marrëveshjes së Prespës”, thotë Pendarovski. Këto vlerësime presidenti i ka konfirmuar në takimin me homologun e tij letonez Egils Levits. Ky i fundit tha se Letonia gjithnjë ka dhënë mbështetje për zgjerimin e BE-së në rajon dhe Ballkanin Perëndimor, si për arsye strategjike, ashtu edhe për arsye ekonomike e politike, e tani veçanërisht është arsyeja e sigurisë.
“Për shkak të arsyeve gjeopolitike ne japim mbështetje të fuqishme në zgjerimin e BE-së dhe mendojmë se çdo vend kandidat duhet të vlerësohet sipas përparimit individual. Maqedonia e Veriut ka përmbushur kriteret dhe duhet të vlerësohet për këtë”, tha Levits. Sipas tij çështjet historike duhet të lihen anash dhe se ato nuk duhet të jenë arsye për t’u kontestuar kapaciteti i një vendi që të vazhdojë rrugën e tij drejt BE-së. Çështjet me Bullgarinë duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, jashtë procesit negociues.
Dialogu me Bullgarinë përmes vlerave evropiane
Me vendet fqinje duhet të ndërtojmë ura të miqësisë, të shohim drejt së ardhmes, nëse kthehemi tek personalitetet e së kaluarës për të cilët ka mendime të ndryshme, kjo nuk do të jetë në interes të asnjërit dhe do të ndikojë keq në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Me Bullgarinë zgjidhja duhet të kërkohet dhe të bazohet në bazë të vlerave evropiane, nëse bisedimet nuk i udhëheqim në këto parime atëherë është e vështirë të arrijmë një marrëveshje”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Dialogu mes Shkupit dhe Sofjes për “pastrimin” dhe ndriçimin e disa figurave historike është cunguar dukshëm pasi disa ditë më parë në Manastir një delegacion i lartë i Bullgarisë hapi qendrën kulturore me emrin e Vanço Mihajllovski, një politikani kontrovers që nuk është i pranuar dhe i pëlqyer në Maqedoninë e Veriut. /DW