Rritja e çmimit të energjisë dhe ushqimeve, Lazimi: Do të kthehet në bumerang për qeverinë

schedule19:31 - 21 Prill, 2022

schedule 19:31 - 21 Prill, 2022

Eksperti i ekonomisë, Majlind Lazimi, në një lidhje me “Radari Informativ” në Abc të gazetares, Juli Xhokaxhi, ka folur për rritjen e çmimit të energjisë dhe produktetve ushqimore dhe ndikimin që do të ketë në ekonominë shqiptare.

Lazimi tha se rritja e çmimeve do të kthehet në bumerang për qeverinë, pasi shqiptarët do të fillojnë të harxhojnë më pak energji për të kursyer paratë, por do të shpenzojnë gjithashtu edhe më pak para për të blerë produkte ushqimore, gjë që do të thotë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit.

Sipas tij qeveria shqiptare duhet të kishte dalë me një plan të qartë masash për të mbështetur biznesin e vogël dhe të mesëm, si dhe për familjet shqiptare.

Ai theksoi se qeveria duhet që rritjen e të ardhurave në buxhet për shkak të rritjes së çmimeve t’i kishte përdorur si përkrahje për bizneset.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Jemi në një krizë çmimesh ku sektorë të veçantë spikasin, së fundi na është shtuar kriza energjetikë, nuk ka ende një vendim por një draft për rritje të çmimit të energjisë për ata që konsumojnë më shumë se 700 kvh, çfarë pasojash sjell?

Lazimi: Jemi në një situatë të tillë ku përveç situatës së rëndë ekonomike që kemi edhe e shkaktuar nga pandemia, por edhe vitin e shkuar patën krizë energjetike, tashmë kemi një krizë në dukje energjetikë edhe për shkak të krizës globale. Padyshim që ky debat ka një rëndësi të veçantë sepse i shton barrë qoftë ekonomisë familjare qoftë ekonomisë në Shqipëri. Siç e dini çmimi për kvh orë është 9.5 lekë, dhe besoj se me fashën e re do të preket një fashë e gjerë e abonentëve shqiptarë.

Xhokaxhi: Nuk prek vetëm të pasurit por prek një pjesë të madhe të shqiptarëve?

Lazimi: Unë nuk di të ndaj kush është i pasur kush është i varfër, por shtresa e mesme është holluar në Shqipëri. Unë besoj se shtresa e mesme do kapet nga rritja e çmimit. Këto janë rimodelime financiare që mund të ndihmojë buxhetin e ekonomive shtetërore, nuk mund të ndihmojë ekonomitë familjare, kur në një kohë kemi rritje të çmimeve edhe të produkteve të tjera.

Xhokaxhi: Ne nuk e dimë akoma se si do të veprohet me këtë 700 khv, do të shërbejë si fashë? Ne kemi një gjë të sigurt se kur çmimet rriten në Shqipëri nuk ulen më. Pra nëse do kemi rritje edhe të mëtejshme dhe e gjitha do të shkarkohet mbi konsumatorin, çfarë do të thotë kjo?

Lazimi: Është e vërtetë efekti bumerang nuk është në interes të shtetit. Nëse do të kemi më pak konsum të energjisë elektrike, nëse do të kemi më pak konsum për produktet bazë, të gjitha këto kanë efekt në finale edhe për buxhetin e shtetit. Ajo që qeveria duhet të bëjë, që nëse ka mbledhur më shumë taksa nga çmimet e rritura duhet të shkonte si mbështetje fiskale për biznesin. Unë do dëshiroja të kishte bërë një plan masash për të mbështetur biznesin, shtresat në nevojë.

/T.H/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!