Certifikata e vaksinim për hyrje në Maqedoni që nga mesnata më nuk është e nevojshme. Kjo masë u hoq me vendim të Qeverisë, sipas rekomandimit të Komisioni për sëmundjet infektive.
“Në seancën e sotme të Qeverisë miratuam rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për të shfuqizuar detyrimin e posedimit të certifikatës së vaksinimit, certifikatës për Covid 19 të kaluar, testet negative PCR dhe antigjen për të gjithë qytetarët vendas dhe të huaj gjatë hyrjes në vend. Në lidhje me këtë vendim shfuqizuam edhe masën për izolim shtëpiak me shpenzim personal në kohëzgjatje prej 7 ditëve për hyrje në shtet pa dokumentet e lartë përmendura”, thonë nga Qeveria.
Paraprakisht, Qeveria miratoi heqjen e masës për mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura, me përjashtim të shtëpive shëndetësore, farmacive, transportit publik dhe shtëpive të të moshuarve dhe institucioneve për përkujdesje për personat me aftësi të kufizuara. Nga Komisioni për sëmundje infektive thonë se mbeten syçelë për ecurinë e pandemisë. Zëdhënësi i KSI-së bëri thirrje që qytetarët të kenë kujdes gjatë grupimeve familjare gjatë festës së Pashkëve dhe Bajramit.
“Vazhdojmë edhe më tej të heqim me kujdes masat restriktive, pa e përkeqësuar situatën epidemiologjike. Përderisa përkeqësohet kjo gjendje aktuale, sigurisht që ende ekziston mundësia që disa nga këto masa restriktive të shfuqizuara të kthehen sërish në zbatim”, u shpreh Zllate Mehmedoviq, Zëdhënës i KSI-së.
Disa shtete fqinje gjithashtu janë duke e shqyrtuar heqjen e certifikatave të vaksinimit nëpër kufi. Në Greqi kjo masë është aktive deri në fund të prillit, nga që gjatë sezonit turistik do të pauzohet deri në shtator.
Në fqinjin lindor bullgar certifikatat nuk kërkohen që moti, gjithashtu as në Serbi nuk ju duhet të tregoni se jeni të imunizuar.
Aktualisht masa e certifikatës mbetet në Shqipëri, ku të liruar janë vetëm fëmijët nën 6 vjeç. Gjithashtu Republika e Kosovës vazhdon të kërkoj certifikatë vaksinimi ose PCR test negativ./ Alsat.mk