Milot Rashica vazhdon të shkëlqejë në Gjermani. Shqiptari i Kosovës ndihmoi Verderin të kualifikohej në gjysmëfinale të Kupës, dhe u vlerësua si lojtari më i mirë në fushë.
Cila do të vlerësohej më shumë nga dy sukseset?
Ai i Milot Rashicës apo i Bayernit të Mynihut, që të dy në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë. Si shqiptarë, padyshim na takon të themi Rashica, aq më tepër që Bajerni vuajti keq ndaj Hajdenhajmit modest dhe rrezikoi mjaft.
Sulmuesi shqiptar nga Kosova realizoi golin e tij të parë në këtë konkurrim, dhe të 8-in gjithsej në Gjermani këtë sezon. Ishte jo vetëm një gol I rrallë, por edhe tepër i rëndësishëm, pasi skuadra e Veriut fitoi 2-0 në fushën e Shalkes dhe u kualifikua për në gjysmëfinale.
“Unë jam shumë i lumtur, – u shpreh 22-vjeçari më pas, – ky është një sezon i madh nga ana ime, por edhe nga skuadra. Thjesht, po bëj detyrën time, atë për të cilën erdha këtu”.
Gazeta “Bild” thekson: Verderi ëndërron me gjysmëfinalen! Lojë e shkëlqyer dhe gola të mëdhenj në Kupë!
Gazeta e Bremenit, “Veser Kurir” e vlerësoi Rashicën si lojtarin më të mirë të ndeshjes, duke i dhënë notën maksimale në futbollin gjerman, 1!
Tashmë, djali nga Kosova cilësohet i rëndësishëm për cilësitë e tij të veçanta, që e bëjnë të vështirë për t’u ndaluar nga kundërshtarët, duke krijuar golat thjesht me aftësi individuale. Rivalë të Verderit e të Rashicës janë Bajerni, Hamburgu dhe Lajpcigu, me shortin e Kupës së Gjermanisë që hidhet në 7 prill.
Nëse Bremeni e pati të lehtë, nuk mund të thuhet kështu për bavarezët. Atyre iu desh një gol në minutën e 84-ët nga Robert Levandovski me penallti për të mundur 5-4 ekipin e kategorisë së dytë, Hajdenhejm. Kampionët ishin tepër të dobët në mbrojtje, ashtu siç kanë qenë gjatë gjithë këtij sezoni.
Jo më kot, skuadra e trajnerit Niko Kovaç, u eleminua nga Championsi, dhe është dy pikë prapa Dortmundit në Bundesligë, por shpreson të jetë ndryshe në derbin pikërisht me Dortmundin, këtë fundjavë në “Alianc Arena” të Mynihut./abcnews.al