Kamzë – Është arrestuar Algert Kurtin 20-vjeç, si autori që grabiti nën kërcënimin e një arme, një shumë parash, në filialin e Postës Shqiptare në qytetin e Kamzës. Po ashtu në kërkim është shpallur Elis Suçi i cili akuzohet si bashkëpunëtori i të arrestuarit.
Këta dy persona, më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë dhe janë larguar. Pas arrestimit janë sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Njoftimi i policisë:
Kamzë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Filiali 2”.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dhe dokumentohet në kohë rekord, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në Kamzë.
Identifikohet dhe vihet në pranga njëri nga autorët që dyshohet se vodhi nën kërcënimin e një arme, një shumë parash, në filialin e Postës Shqiptare.
Shpallet në kërkim bashkautori tjetër.
Sekuestrohen një aparat celular dhe veshjet që autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, pas marrjes së njoftimit për vjedhjen e një shume parash në filialin e një poste në Kamzë, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Filiali 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasit A. K., 20 vjeç, banues në Kamzë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkautori tjetër, shtetasi E. S., 30 vjeç, banues në Kamzë, i dënuar më parë për vjedhje.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë dhe janë larguar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.