Deputeti Belind Këlliçi e ka cilësuar platformën e Enkelejd Alibeajt si jo zyrtare, por thjeshtë një konsultim të bërë mes deputetëve në telefon apo biseda personale.
I ftuar në “Log.” të gazetarit Endri Xhafo, Këlliçi, deklaroi se nuk është aspak normale që të zhbëhen vendimet e kuvendit të 11 dhjetorit, të cilat janë marrë nga shumica e anëtarësisë.
Sipas tij e vetmja palë që ka bërë hapa pas dhe ka shtrirë dorën për pajtim është Komisioni i Rithemelimit, ndërsa krahu tjetër vijon të vendosë kushte.
Pjesë nga diskutimi:
Xhafo: Cila është pika e gravitetit të PD? Grupi parlamentar ku kemi figura të nderuara por jo me staturë politike, kemi dhe Komisionin e Rithemelimit që kanë patur kohë që të kenë një lloj trashëgimie politike brenda PD? Sepse në letër që procesi zgjedhor të shtyhet dhe Berisha të jetë kjo është e arsyeshme?
Këlliçi: Aty nuk flitet për zotin Berisha. Aty thuhet që të rikthehen pjesa më e madhe e të përjashtuarve nga DP, dhe të mos kthehet zoti Berisha i përjashtuar nga zoti Basha dhe jo nga forumet.
Xhafo: Mziu bën një propozim logjik, të heqim dorë nga ankimimi në gjykatë dhe shpallja nul e të gjitha vendimeve të forumeve?
Këlliçi: Edhe ky është një sens alogjik. Për sa kohë kemi një vendimmarrje të qartë të Kuvendit të 11 dhjetorit, kemi dhe një realitet politik në 18 dhjetor dhe 6 mars, pikën gravitacionale t’ia njohim anëtarësisë. Në momentin që Kuvendi Kombëtar ka patur një vendimmarrje të qartë nuk duhet të jetë më çështje diskutimi. Kjo duhet të jetë e detyrueshme për tu zbatuar. Në atë platformë nuk ka firmosur asnjë deputet. Por në dijeninë time është një dokument i konsulutuar në telefon apo biseda personale, nuk është një dokument i pasqyruar me shkrim. Problemi është këtu hapin pas për t’i dhënë një zgjidhje krizës e ka bërë Komisioni i Rithemelimit duke i dhënë njohjen zyrtare zotit Alibeaj si kryetar i grupit parlamentar edhe pse është i shkarkuar. Në vend që Alibeaj ta marrë këtë si shenjë tërheqjeje, zoti Alibeaj kur flet për arrogancën duhet t’i drejtohet vetes së tij.
/Abcnews.al/