Rrethinat e qytetit verior Chernihiv të Ukrainës, janë shndërruar në gërmadha me peizazhin e krijuar nga pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara, dëshmi e një tërheqjeje kaotike.
Imazhet ajrore tregojnë shkallën e shkatërrimit në Chernihiv pas tërheqjes së forcave ruse.
Shtëpi të dëmtuara, rrënoja dhe pajisje të shkatërruara ushtarake mbushin rrugët e qytetit: dëshmi e luftimeve të zgjatura dhe të pamëshirshme.
Rreth 113 kilometra në verilindje të kryeqytetit Kiev, Chernihivi mbajti peshën kryesore të fazave të hershme të sulmit rus.
Tani që forcat ruse janë larguar, banorët po dalin, dhe po kërkojnë nën rrënoja.
Nikolai Ilnitsky, një shtetas ukrainas me origjinë bjelloruse tregon se si ushtarët rusë në tërheqje, plaçkitën shtëpinë e tij dhe i morën një medalje, që e kish fituar për shërbimin usharak në kohën e luftës së Bashkimit Sovjetik në Afganistan.
“Një ushtar rus më tha ‘E di që je rezervist’, pasi pa se kisha ende një uniformë parade me medalje dhe relika të tjera të varura. Mori një nga medaljet për arritjet ushtarake. I thashë ‘Merre , tregoje në atdheun tënd se si luftove për Ukrainën”.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Vladyslav Atroshenko, thotë se 70% e Chernihivit ishte shkatërruar.
Rusët u tërhoqën në fillim të prillit si pjesë e një ridislokimi të forcave. Pas tërheqjes së tyre nga Kievi, trupat e Kremlinit e kanë kthyer vëmendjen e tyre drejt lindjes në rajonin e Donbasit./VOA