Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim prekës përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së pak më parë. Ai përshkroi me detaje vrasjet mizore të kryera nga ushtarët rusë kundrejt civilëve ukrainas, sipas Ukrainës.
Në fjalimin e tij Zelenksy tha se po flet në emër të viktimave të luftës nga ushtria ruse.
Zelensky përshkroi në detaje mënyrën se si civilët ukrainas janë vrarë nga forcat ruse.
“Disa prej tyre u pushkatuan në rrugë, të tjerët u hodhën në puse, u vranë në banesat e tyre, në shtëpitë e tyre që u hodhën në erë nga bombardimet. Civilët u shtypën nga tanket teksa ndodheshin në makinat e tyre. Ata prenë gjymtyrët, prenë fytin e tyre. Gratë u përdhunuan dhe u vranë në sy të fëmijëve të tyre”, tha Zelensky para OKB-së.
“Ushtria ruse kërkoi dhe vrau me qëllim këdo që i shërbente vendit tone. Ata vranë familje të tëra, të rritur dhe fëmijë. Dhe ata u përpoqën të digjnin trupat”, shtoi Zelensky para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Presidenti ukrainas kërkoi që Rusia të shkojë para drejtësisë për krimet mizore që ka bërë kundër popullit ukrainas.
Zelensky tha se Rusia duhet të vendoset përpara një gjykate ndërkombëtare të ngjashme me atë të mbajtur në Nuremberg pas Luftës së Dytë Botërore.
“Masakra” në Bucha është vetëm një shembull i shumë prej mizorive që Rusia ka bërë në 41 ditët e fundit, thotë Zelensky.
Lexo edhe:Sekretari i OKB-së për masakrën në Bucha: Nuk do t’i harroj kurrë imazhet e trupave të pajetë
Bota ende nuk e ka mësuar të vërtetën e plotë, shton ai, me ushtrinë ruse duke plaçkitur hapur fshatrat që ata kanë kapur.Zelensky gjithashtu vuri në dyshim rolin e Rusisë brenda OKB-së, duke thënë se pushtimi “minon” të gjithë arkitekturën e sigurisë globale.
Ai i bën thirrje këshillit që të përjashtojë Rusinë si anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Zelensky tha se nëse këshilli nuk mund të gjejë një mënyrë për të ndihmuar në ndalimin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë, ai duhet të “shpërbëhet”, pasi në këtë mënyrë dëshmon se OKB “nuk mund të bësh asgjë përveç bisedave”./abcnews.al/