Duke filluar që nga viti 2021 në vendet e Bashkimit Europian nuk do të përdoren më materialet plastike një përdorimshe. Parlamenti europian e miratoi ligjin që ndalon përdorimin e tyre me 560 vota pro. Ndërsa brenda vitit 2025 shishet e plastikës duhet të kenë të paktën 25 për qind të materialit të riciklueshëm.
Parlamenti Europian miratoi në mënyrë përfundimtare ligjin i cili ndalon që nga viti 2021 përdorimin e disa artikujve plastikë një përdorimshe. Ligji mori 560 vota pro, 35 kundër dhe 28 abstenime, ai parashikon ndër të tjera se duke filluar që nga viti 2025 shishet e plastikës duhet ët përmbajnë të paktën 25 për qind material të riciklueshëm, kuotë e cila do të arrijë në 30 për qind brenda vitit 2030.
Ligji fikson dhe një objektiv për mbledhjen e 90 për qind të shisheve të plastikës brenda vitit 2029.
Propozimi parashikon objektiva për reduktimin e konsumit dhe të pijeve që tregtohen në shishe plastike. Shtetet anëtare mund të reduktojnë konsumin duke ofruar produkte alternative, dhe duke ndaluar që produktet e plastikës një përdorimshe të mos shpërndahen falas.
Ndërkohe që letrat e lagura dhe artikuj të tjerë higjienikë do të kenë një etiketë të veçantë ku të tregohet se si mund të asimilohen dhe për impaktin negativ të tyre në ambjent, por dhe për përqindjen e plastikës.
Dhe mjetet e peshkimit preken nga ky ligj pasi përbëjnë 27 për qind të mbeturinave që mblidhen në plazhe.
Sipas Komisionit Europian më shumë se 80 për qind e mbeturinave në det përbëhet nga plastika. Për shkak të dekompozimit të ngadaltë, plastika grumbullohet në det, në oqeane dhe në plazhet e vendeve të BE-së por dhe të botës. Mbeturinat e plastikës gëlltiten nga gjallesat në det, duke u bërë në këtë mënyrë të pranishme dhe në zinxhirin ushqimor njerëzor. /abcnews.al