Fitorja e Victor Orban, një paralajmërim dhe sfidë e fortë për Perëndimin

schedule09:54 - 5 Prill, 2022

schedule 09:54 - 5 Prill, 2022

Nga Gideon Rachman “Financial Times

Fitorja e së dielës e Victor Orban në zgjedhjet parlamentare në Hungari do të pritet me shumë kënaqësi në Moskë, Pekin dhe Mar-a-Lago (rezidencën e Donald Trump në Florida), dhe me shumë ankth në Bruksel dhe Kiev.

Përpara këtyre zgjedhjeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti Orban si “praktikisht të vetmin udhëheqës në Evropë që mbështet hapur Vladimir Putinin”. Kryeministri hungarez u hakmor menjëherë pasi shpalli fitoren, duke veçuar Zelenskyn si një nga “kundërshtarët” që kishte mundur, përveç burokratëve të Brukselit dhe medias ndërkombëtare.

Edhe duke e mirëkuptuar euforinë e natës së zgjedhjeve, tallja e Orban me Zelensky – pikërisht në ditën kur u zbuluan krimet brutale të luftës të kryera kundër civilëve ukrainas nga ushtarët rusë – ishte groteske. Por nuk duhet të cilësohet si befasuese.

Edhe në të kaluarën, Orban e ka lavdëruar Putin se e “ka bërë Rusinë sërish të madhe”. Ai zhvilloi një takim shumë të ngrohtë me presidentin rus në Moskë, pak para pushtimit të Ukrainës. Donald Trump është një tjetër fans i Orban.

Në fillim të këtij viti, ish-presidenti i SHBA-së e mbështeti rizgjedhjen e liderit hungarez, duke e quajtur atë një “udhëheqës të fortë” që ka bërë një “punë të madhe dhe të mrekullueshme”. Po ashtu Orban ka kultivuar një marrëdhënie të veçantë me Kinën e Xi Jinping.

Hungaria ishte shteti i parë i BE-së që e bleu vaksinën kineze Sinopharm kundër Covid-19. Madje qeveria e Orban, vendosi veton kundër një deklaratë të përbashkët të unionit, që e kritikonte Kinën për shtypjen e të drejtave civile në Hong Kong.

Këto lloj aktesh që tërheqin jo pak vëmendjen, shpjegojnë edhe arsyen se përse zgjedhjet në Hungari – një vend me pak më pak se 10 milionë banorë, ose afro 2 për qind e popullsisë së Bashkimit Evropian – kanë marrë një rëndësi në përmasa globale.

Me fjalët dhe veprat e tij, Orban e ka pozicionuar veten si një zëdhënës ndërkombëtar të një ideologjie që ai e quan “demokraci jo-liberale”. Ajo që nënkuptoj ky term në Hungari, është një sistem politik që ruan në dukje konturet e demokracisë, por nga ana tjetër zbraz pjesën më të madhe të substancës.

Votimi në zgjedhjet e fundjavës që kaloi dukej i ndershëm. Por prej më shumë se një Dekade, Orban e ka manipuluar sistemin politik në favorin e tij. Gjykatat janë mbushur me mbështetësit e tij, shërbimi civil është spastruar nga kundërshtarët. Edhe sistemi elektoral është i kapur nga mazhoranca aktuale.

Mbi të gjitha, ka pasur një sulm ndaj lirisë së medias. Peter Marki-Zay, liderit të opozitës hungareze, iu dhanë vetëm 5 minuta kohë në televizionin shtetëror, gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Të gjitha gazetat në Hungari janë miqësore me Orban.

Është ky mjedis politik, që shpjegon edhe arsyen pse Hungaria është i vetmi vend i BE-së i vlerësuar si “pjesërisht i lirë” nga organizata e njohur ndërkombëtare “Freedom House”. Pavarësisht këtij rekordi – ose ndoshta për shkak të tij – Orban është i preferuari i së djathtës pro-trumpiane në SHBA.

Steve Bannon, ish-kryestrategu i Trump, e etiketoi udhëheqësin hungarez një “hero”. Tucker Carlson i Fox Neës, e zhvendosi të gjithë emisionin e tij në Budapest për një javë rresht vitin e kaluar – për ta shfaqur Hungarinë e Orban si një model të mundshëm për SHBA-në.

E djathta ekstreme në SHBA dhe Evropë, e sheh Orban si një model për shkak të nacionalizmit të tij të egër, qëndrimit tij të ashpër ndaj refugjatëve, dhe përqafimit të temave populiste mbi çështjet kulturore.

Gjatë fushatës së fundit elektorale, Orban i portretizoi problemet e tij me Brukselin, si një produkt të dëshirës së BE-së për t’i imponuar Hungarisë “çmenduritë e çështjeve gjinore”. Në realitet, thelbi i përlasjes midis Brukselit dhe Budapestit, qëndron tek akuzat se qeveria e Victor Orban e ka minuar sistematikisht sundimin e ligjit, dhe i ka kanalizuar tek miqtë e tij fondet e BE-së.

Një shok shkolle i Orban, është sot njeriu më i pasur në Hungari. Triumfi elektoral i Orbanit do të ushqejë frikën në Bruksel, se BE-ja mund ta jetë tashmë shumë vonë për të vepruar kundër tij. Demokracia jo-liberale është çimentuar në Hungari.

Orban, 58 vjeç, është udhëheqësi kombëtar më jetëgjatë i BE-së, dhe mund të qëndrojë në pushtet edhe për shumë vite në vazhdim. Por megjithëse Orban dhe admiruesit e tij ndërkombëtarë do të ndihen të justifikuar dhe euforikë, jeta e tij mund të bëhet së shpejti më e ndërlikuar.

Për më shumë se një dekadë, Orban ka luajtur me 2 porta. Ai ka qëndruar në klubin e Bashkimit Evropian – duke shijuar të gjitha përfitimet që sjell ky anëtarësim në aspektin e investimeve, subvencioneve, rritjes së sigurisë dhe fuqisë diplomatike.

Por njëkohësisht, ai ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me liderë autoritarë anti-BE si Putin, Trump dhe Xi. Pushtimi i Putinit në Ukrainë, do ta bëjë më të vështirë që Orban ta vazhdojë këtë qasje balancuese. E nxitur nga një përzierje e zemërimit moral dhe frikës, pjesa tjetër e BE-së po mobilizohet fuqishëm kundër Putinit.

Gatishmëria për të toleruar marrëdhëniet e dyfishta të Orbanit me Rusinë, ka të ngjarë të zvogëlohet ndjeshëm. Siç u shpreh Zelensky, udhëheqësit hungarez mund t’i duhet së shpejti të bëjë një zgjedhje. Deri kohët e fundit, Orban shpëtoi nga izolimi brenda BE-së, falë mbështetjes së qeverisë polake, e cila gjithashtu është përplasur ashpër me Brukselin për çështjet e sundimit të ligjit.

Por polakët janë sot në ballë të thirrjeve për veprime më të ashpra kundër Rusisë. Varshava e kanë bërë më se të qartë pakënaqësinë e saj me Victor Orban, dhe mund të mendojë arritjen e një kompromisi me Brukselin, për hir të unitetit të BE-së përballë Rusisë.

Pas fitores së tij në zgjedhjet e dielës, Orban deklaroi, siç ka bërë shpesh në të kaluarën, se marka e tij e konservatorizmit jo-liberal përfaqëson të ardhmen e Evropës. Kjo është një sfidë për pjesën tjetër të BE-së.

Evropianët duhet ta marrin shumë seriozisht atë, në një kohë kur një tjetër nacionalist autoritar po kryen krime lufte në kufirin lindor të Hungarisë. Por izolimi në rritje i Hungarisë në Bashkimin Evropian, krijon mundësinë për të ushtruar një presion sado të vonuar mbi Orban. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet tani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!