Fshati i braktisur në Finiq, shkolla vetëm më dy nxënës, mësuesja: Kurbeti bëri punën e tij

schedule16:22 - 2 Prill, 2022

schedule 16:22 - 2 Prill, 2022

Në shkollën e fshatit Dhrovjan të Finiqit dy dekada më parë kishte rreth 200 nxënës. Ndiqnin arsimin 8 vjeçar dhe të mesëm. Madje kishte dhe konvikt. Ndërsa sot është për të ardhur keq. Shkolla rri hapur për dy nxënës, që marrin mësim nga një mësuese pensioniste.

“Kurbeti bëri punë e tij. Kam dy nxënës kam njëri është në klasën e parë dhe tjetri në të gjashtë. Mësime në greqisht dhe në gjuhën shqip”, thotë mësuesja e fshatit.
Në këtë fshat nga më të mëdhenjtë e zonës kanë mbetur rreth 80 banorë.

“Kjo fushë ishte e mbushur me fëmijë, tani s’dëgjohet zë fëmijë. Kam tre vajza në Greqi dhe jam vetëm, burri më ka vdekur”, thotë një banore.

Investimet e fundit janë bërë në periudhën komunizmit. Banorët ankohen se dalin nga fshati vetëm kur kanë emergjenca, pasi rruga 6 km është e shkatërruar.

“I kemi bërë makinat copa-copa dhe traktor të kesh këtu prishet. Kemi kërkuar të bëhet rruga. Na kanë thënë që është firmosur nga qeveria. Po kushedi kur do bëhet dhe a do bëhet? në Sarandë do 45 mijë taksia se është rritur dhe nafta benzina.”

Emigrantët duket se s’kanë humbur shpresat se një ditë do të rikthehen. Kanë ndërtuar shtëpi që duan t’i kthejnë bujtina.

“Po të hapet turizmi të gjitha shtëpitë vihen në dispozicion të turizmit se dhe të vjetrat se janë të rregulluara brenda”, u shpreh banori i fshatit për Abc.

Dhrovjani 450 metra mbi nivelin e detit. Mendohet se është banuar që në shekullin e 17. Ka plot histori e asete kulturore të lashta.

16 kisha, një pjesë e tyre monumente kulture, 40 puse të vjetra, të ndërtuara që në vitin 1800. Ndaj të gjithë që kanë emigruar kanë dhe këto arsye se përse mund të kthehen dhe t’i përkushtohen turizmit malor./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!