Një ditë më parë kryeministri i Kosovës Haradinaj shkarkoi nga detyra zv/ministren e drejtësisë Vesna Mikic, pasi ajo cilësoi bombardimin e NATO-s në Serbi, si një genocid. Në reagimin e saj ajo u shpreh se pavarësisht kësaj do të vazhdojë të shkojë rregullisht në punë.
Mediat në Kosovë raportojnë se Vesna Mikiç, e shkarkuar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nga posti i zëvendësminstres së Drejtësisë, ka thënë se Haradinaj ka të drejtë të shkarkojë ministrat dhe zëvendësministrat, por mënyra se si e bëri, tregon se është “larg nga normat demokratike në Kosovë “.
Mikic e cila u shkarkua pasi shkruajti në Facebook se “NATO me fushatën ajrore kundër Jugosllavisë kreu një genocid të qëllimshëm”, konfirmoi se do të shkojë në punë rregullisht.
Madje në një prononcim për mediat serbe ajo mbështet postimin në profilin e saj në Facebook duke thënë se nëse dikush mund t’i vërtetojë të kundërtën e asaj që ka thënë, është i mirëpritur.
Në reagimin e tij Haradinaj theksonte se individët që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike nuk kanë vend në institucionet e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. /abcnews.al