“Nëse ka diku një dëshmi të qartë të ADN-së sonë kulturore, mund ta gjejmë lehtësisht te arbëreshët. Nuk janë vetëm kulturore, por të një profili që bart në mënyrë konservatore, gjithçka që mund të jetë transferuar nga shqiptarët në atë kohë”. Kështu u shpreh për “Refleksione” në ABC, përkthyesja Diana Kastrati, e cila aktualisht drejton edhe Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Sipas saj, marrëdhënia me arbëreshët nuk mund të shihet vetëm në aspektin e mallit, në modelin folklorik, për atë çfarë ata përfaqësojnë për gjuhën dhe kulturën tonë. “Ata kërkojnë të mos shihen si ekzotikë, pasi shpesh nga Tirana janë parë disi si muzealë, si të ngrirë në kohë. Ata vetë nuk e pranojnë një gjë të tillë”, tha Kastrati.
Për të, ka rëndësi të theksohet se letërsia e parë në gjuhën shqipe, që na ka ardhur nga arbëreshët, ka përshkruar ndjesi dhe të dhëna shumë komplekse për traditën tonë, të cilat ata i kanë ruajtur ashtu siç i kanë trashëguar prej 6 shkekujsh. “E gjithë fizionomia antropologjike e arbëreshëve ka mbetur e gjallë edhe për shkak të këmbënguljes së tyre për të qëndruar brenda profolit të të parëve të tyre. Madje, ata me të drejtë presin që Shqipëria, që ata e konsiderojnë ende “shteti amë”, duhet të ketë një vëmendje të shtuar ndaj tyre. Duhet të jenë nën vëmëndjen e studiuesve, në rëndësinë që ka ruajtja e gjuhës”, tha Kastrati në “Refleksione”.
Autorja e shumë përkthimeve nga italishtja, e autorëve si Alberto Moravia, Antonio Pennacchi, Umberto Eco, Andrea Camilleri, shprehet se, gjuha e tjetrit është shumë e rëndësishme. Madje, ndjesia e romanit “Kanali Musolini”, e Antonia Pennacchi, që është edhe historia e komplikuar dhe fatkeqe e atyre që ishin përkrahës e simpatizantë të hershëm të fashizmit, i ka dhënë Kastratit ndjesinë e asaj që kishte kaluar edhe gjyshi i saj, i cili kishte marrë pjesë në tharjen e Kënetës së Maliqit. Përkthyesja Diana Kastrati ka kujtuar edhe vizitën e Pennachit në Tiranë, që i është kthyer të pranishëmve në takimin e prezantimit të librit të tij se duhet të imagjinojnë një libër në Shqipëri, që të ketë emrin “Kanali Enver Hoxha”.
Ndërkohë nuk ka harruar të “rindërtojë” vetveten përmes vendlindjes së saj, Shkodrës, dhe mbiemrit të saj. “Nga njëra anë mbiemri të favorizon, por, në anën tjetër, je e detyruar të lëvizësh brenda fuqisë që ka ai mbiemër. Dhe Shkodra këto gjëra i ka të pashkruara, por të rëndësishme për t’i respektuar”, tha Kastrati, duke e konsideruar “peshë dhe përgjegjësi” të qenurit shkodrane. Por, duke folur në “Refleksione” ajo shprehu pengun e saj për të atin. “Më vjen keq që nuk i kam regjistruar bisedat me tim atë”, tha Kastrati.