Në një kohë që vatrat e gripit të shpendëve janë shtrirë në disa qytete, LSI ka kërkuar që të zhvillohen hetime. Përmes një deklarate të bërë nga ish zëvendësministri i Bujqësisë, Roni Telegrafi, LSI thekson se drejtësia duhet të hetojë për mosveprim të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë. Sipas saj keqmenaxhimi i institucioneve solli përkeqësimin e situatës.
“Përshëndetje! Jemi sot këtu si pasojë e një përhapje dramatike dhe të paprecedentë të Gripit të Shpendëve kohëve të fundit. Përhapje që ka sjellë dëme të skajshme në ekonomi dhe që ka rrezikuar rëndë shëndetin publik. Megjithëse në vetvete përhapja e Gripit të Shpendëve konsiderohet një fatkeqësi natyrore, është keqmenaxhimi nga institucionet publike ai që ka sjellë përkeqësimin e panevojshëm të kësaj krizë. Ne besojmë se shkaku i vërtetë i pirgjeve me pula të ngordhura është mos veprimi i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe rezultati i dyshimtë i testeve nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Për këtë arsye I bëjmë thirrje organeve të posaçme të drejtësisë të hetojnë sa më parë mosveprimin e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë.
Gjithashtu, kërkojmë hetimin e procesit të analizimit të 60 kampionëve, të cilët, çuditërisht nuk rezultuan me Grip shpendësh por me Laringotrakeid. Rrethanat e menaxhimit të Gripit të Shpendëve nga organet përkatëse, ngrenë dyshimet e arsyeshme së mosreagimi dhe rezultatet e testeve, në rastin më të mirë, janë produkt paaftësie dhe në rastin më të keq, produkt korruptiv. Teksa liqeni i Prespës mbushej me pelikan të ngordhur nga Gripi i Shpendëve, institucionet në varësi të Ministrisë së Bujqësisë zgjodhën të mos reagojnë, pasi mesa duket, për ta rreziku nuk ekzistonte. Akoma më absurd dhe i dyshimtë mbetet njoftimi I Ministrisë së Bujqësisë i datës 17 Mars. Ku nga njëra anë ministria njoftonte publikun për 200 mijë pula të ngordhura dhe nga ana tjetër siguronte konsumatorët se nuk kishte asnjë rast të shfaqur të Gripit të Shpendëve. Vetëm një hetim i thelluar nga Organet e Drejtësisë mund të na japë përgjigje shteruese nëse dëmi ishte shkaktuar nga Gripi i Shpendëve është rezultati pa aftësi institucionale apo i korrupsionit pasiv”, tha LSI.
Zv. Ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se në vendin tonë ka një vatër të re të konfirmuar të gripit të shpendëve në Vlorë. Megjithatë, sipas zëvendësministres së Bujqësisë, Ermira Gjeci, monitorimi është shtrirë në të gjithë territorin.
/abcnews.al