Adi Darsi
Çfarë e dallon bukën e zezë nga çokollata e zezë përveç çmimit dhe shijes? Përgjigja është e lehtë: rëndësia që kanë në konsumin e përditshëm. Pa çokollatën e zezë edhe mund të bësh, pa bukë vështirë se ja del.
Mbi këtë koncept është hartuar edhe ajo që njihet si shporta e ushqimeve. Natyrisht në të nuk ka pineapple, avokado apo salmon. “Hapësira” e shportës në fjalë është e zënë në pjesën më të madhe me bukën, vajin, orizin e sheqerin. Kemi filluar t’i përmendim përditë sepse çmimet e tyre nuk po njohin tjetër veç rritjes.
Shporta dhe shporta bazë
Babai i konceptit të shportës, si tregues ekonomik dhe social është sociologu britanik Seebohm Roëntree. Që në vitin 1900 ai studioi grupin e ushqimeve që organet njerëzore I kanë të domosdoshme për të funksionuar. Kështu u ndërtua ajo që nihet si “shporta bazë”. Por koncepti ka patur evolucionin e vet. Në vende dhe kohë të ndryshme, ka patur dhe ka koncepte të ndryshme për shportën.
Një shportë e madhe është ajo që nihet zyrtarisht si shporta me të cilin matet rritja e çmimeve, apo inflacioni. Aty janë të përfshira me qindra artikuj të grupuara sipas natyrës së tyre.
Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri për të matur rritjen e çmimeve merren në konsideratë 12 grupe (Ushqime dhe pije joalkoolike, Pije alkoolike dhe duhan, Veshje dhe këpucë, Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji, Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë, Shëndeti, Transporti, Komunikimi, Argëtim dhe kulturë, Shërbimi arsimor, Hotele, kafene dhe restorante, Mallra dhe shërbime të ndryshme).
Ajo që dihet tashmë është se Grupi Ushqime dhe pije jo-alkoolike, ka peshën më të lartë në buxhetin e çdo konsumatori shqiptar, që sipas përllogaritjeve shkon deri në 40 për qind të buxhetit në total.
Pra ka një shportë që mat çmimet, shporta familjare, dhe një shportë tjetër më të vogël që është shporta e ushqimeve, shporta bazë. Lista që përfshihet në të nuk I kalon 30 artikuj: buka, qumështi, kripa e shqeri, mishi, vaji dhe gjalpi, vezët, orizi, makaronat, patatet, perimet dhe frutat. Nëse një familje me katër persona nuk është në gjendje të blejë produktet kryesore të shportës ajo konsiderohet e varfër. Kjo do të thotë se ka edhe një shportë edhe më të vogël, të personalizuar, “shporta e varfërisë” lista e të cilës përcaktohet nga xhepi i gjithsecilit. Shporta është për të varfërit, por sot të gjithë po bëhemi më të varfër!
Shporta dhe…lufta
Shumë kohë më parë se ushtria ruse të hidhej në agresion kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, çmimet e ushqimeve e patën marrë të përpjetën. Ishte efekti i rëndë i pandemisë. Zyrtarisht në Shqipëri nga 2020 në 2021 rritjen më të madhe e pati grupi Ushqime dhe pije joalkoolike me 4,6%, brenda të cilit më shumë u shtrenjtuan perimet, vaji dhe buka.
Një javë më parë në raportimin më të fundit nga INSTAT thuhej se “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shkurt 2022 u regjistrua me rritje 4,0 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 7,6 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”.
Ndërkohë në treg gjërat po rrjedhin shumë më shpejt. Pandemisë i është shtuar efekti rrënues i luftës në çmime. Sipas të dhënave nga tregu artikujt kryesorë të shportës së mallrave, ku përfshihen nafta dhe gazi, po shiten më e pakta 20% më shtrenjtë se në janar.
Vaji u shit në mes të marsit 320-330 lekë për kg nga 228.1 lekë që ishte në janar 2022, gjalpi 1,000 lekë kg nga 682 lekë në janar, miell i paketuar 135 lekë nga 99.2 lekë në janar, makarona u rritën, buka po ashtu, qumësht shkoi 160 lekë për litër nga 120.3 lekë në janar, kosi 150 lekë, veza u shit me 21 lekë kokrra nga 17 lekë në janar. Rekordi e thyen çmimet e naftës dhe benzinës që shkuan deri në 260 lekë për litër.
Në një përllogaritje të bërë nga revista Monitor thuhej se “shqiptarët pritet të paguajnë 13 mln euro më shumë nga rritja e çmimeve”. Por ky nuk është fundi. Dritë në fund të tunelit ende nuk ka!
“Shporta e bukës”
Traditë shqiptare apo traditë varfërie nuk di ta them! Por nëse shporta do të mbetej me vetëm një artikull pa dyshim aty do të ishte buka. Buka thatë. Lajmet nuk janë të mira. Shqipëria plotëson vetëm gjysmen e nevojës për drithëra. Ka mundësi që këtë vit të kemi mbjellë më pak grurë. Kjo edhe për faktin e thjeshtë se fitimi nga një hektar tokë e mbjellë me të është vetëm 200 euro në vit! Subvencioni zero.
Ndaj sytë janë nga jashtë. FAO, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e OKB ka njoftuar në fillim të marsit se në nivel global çmimet e prodhimeve bujqësore ishin 20 për qind më të shtrenjta se një vit më parë. Shkak pandemia. Dy javë pas nisjes së luftës, më 11 mars, FAO paralajmëroi për rritje të mëtejshme të çmimeve edhe me 20 për qind të tjerë.
Lufta me armë po bëhet në sofrën e prodhimit të drithrave. Nga Rusia dhe Ukraina bota merr gati 30 për qind të furnizimit me grurë. Fermerët ukrainas korrin grurë për të ushqyer vendin e tyre si edhe 400 milionë njerëz në mbarë botën.
Ukraina eksporton rreth 14% të sasisë globale të misrit. Rusia dhe Ukraina bashkë zotërojnë 80% të eksporteve të vajit të lulediellit. Ka edhe më. Nëse shtohet kultivimi në vende të tjera, padyshim kjo do të ndodhë, furnizimi global me plehra për bujqësinë është në kolaps. Sasia më e madhe e tyre e ka origjinën nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia.
Sado cinike të duket, nëse lufta nuk merr fund, duhet të mbjellim misër sa jemi në kohë!
“Shporta e shpuar” e politikës
Për askënd pandemia nuk ishte e parashikuar. Por kjo nuk mund të thuhet për luftën. Fakti se kanë dështuar shtete të mëdha nuk është justifikim për ne. Madje në këtë rast të qenët shtet i vogël është përparësi.
Mbase nuk duhet të krenohemi vetëm me rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë. Nuk di me saktësi se në sa muaj eksporte është rrudhur tani. Sigurisht është përgjysmuar. Prandaj duhen edhe rezerva në karburante e drithëra.
E para kjo. E dyta qeveritë janë për të bërë politika fiskale nxitëse. Kur shumë muaj më parë opozita kërkonte reduktimin e TVSH në 6% për produktet e shportës ushqimore, pak veta e morën seriozisht. Kjo edhe për faj të saj, se nuk kishte një faturë shoqëruese dhe një argumentim ekonomik. Ekspertët nuk e konsideronin atë një masë të keqe, por… populizmi vret.
Sot në kohë lufte në vend që të diskutohet përsëri kjo masë, në vendin tonë flitet për vendimet e Bordeve të Kontrollit të Çmimeve? Akte normative për Bord të Administrimit të Karburanteve dhe Bord të Transparencës për Çmimet Bazë.
Ndërkohë në treg çmimet as që e çajnë kokën për aktet normative.
Ata vetëm rriten.
Na rroftë transparenca! /abcnews.al