Basti i humbur i Panuçit me Lilën e Dermakun

schedule13:00 - 20 Mars, 2019

schedule 13:00 - 20 Mars, 2019

Trajneri i ekipit përfaqësues, Panuçi, e humbi bastin për të pasur në ekip Andi Lilën dhe Egzon Dermakun. Pritja për ta, bëri që të shkeleshin afatet e FIFA-s dhe të mos vinin në skuadër as Manaj e Bare nga Spanja.

Kombëtarja shqiptare nuk pati fat me dëmtimet këtë herë. Ajo humbi katër lojtarë të rëndësishëm, për shkak të rrethanave të pafavorshme që u krijuan pak ditë përpara sfidës së Evropianit, dhe konkretisht Andi Lilën dhe Egzon Dermakun të dëmtuar, si dhe Rej Manajn e Keidi Baren, për shkak të kalimit të afateve të FIFA-s.

Panuçi u shpreh në konferencën për shtyp se kishte shpresë për të pasur të gatshëm Andi Lilën dhe Egzon Dermakun, që ishin zgjedhjet e tij të para.

Optimizmi për Lilën ishte i justifikuar, edhe sepse futbollisti u la në stol në ndeshjen e fundit të kampionatit grek, barazuar 0-0 ndaj AEL-it, në mënyrë që të ruhej për në kombëtare. Dy lojtarët mbërritën në grumbullim dhe ishin të dëmtuar, diçka që u vërtetua edhe nga vizitat mjekësore të zhvilluara në Tiranë.

Kjo bëri që Lila dhe Dermaku të largoheshin, dhe që Federata Shqiptare e Futbollit të bënte një përpjekje mbi bazë konfidenciale për të marrë Rej Manajn dhe Keidi Baren, përkatësisht nga Granada e Malaga

Kjo, sepse zyrtarisht, ishin shkelur afatet e lejuara. Në bazë të rregullores së FIFA-s, që rregullon mbarëvajtjen e ndeshjeve të kombëtareve, përcaktohet që një Federatë ka detyrim të dërgojë kërkesën për lojtarët e një klubi të caktuar, deri 14 ditë përpara luajtjes së ndeshjes.

Për fatin e keq të kombëtares, dy Manaj e Bare do të jenë të angazhuar në fundjavë, pasi do të luhen ndeshjet e ligës së dytë spanjolle. Në 24 Mars, Granada ndeshet me Las Palmasin, ndërsa Malaga luan në fushën e Gimnastikut, dhe ekipet kanë pretendime për t’u ngjitur në elitë.

Granada në vend të dytë, me 57 pikë, 3 më pak se kryesuesja Osasuna, pra mund të kualifikohet direkt për në La Liga, ndërsa Malaga është në vend të pestë, pra brenda zonës për plej ofin për t’u ngjitur më lart. Kjo bëri që Panuçi të kthehej tek zgjedhjet e tij të treta. Për fat, Velje në Danimarkë pati mirëkuptim duke lejuar Ylber Ramadanin. Për Lorenc Trashin nuk pati vështirësi, sepse lojtari I krahut luan për Partizanin dhe Superliga shqiptare është pushim në fundjavë./abcnews.al