Izolim total i Kombëtares në stërvitjet e fundit përpara ndeshjes ndaj Turqisë. Trajneri Kristian Panuçi do të përzgjedhë formacionin dhe dëshiron që ai të mbetet sekret deri të premten në mbrëmje.
Nuk ka dëshirë që ekipin ta ekspozojë, përkundrazi. Kristian Panuçi është i vendosur që të jetë hermetik, larg tifozëve dhe mediave, ndërsa Kombëtarja i afrohet ndeshjes së rëndësishme ndaj Turqisë në “Loro Boriçi”.
Trajneri urdhëroi që stërvitjet e së mërkurës të zhvillohen me dyer të mbyllura, dhe kamerat televizive nuk u lejuan të ishin as për 15 minutëshin e përhershëm. Arsyeja, sipas burimeve pranë përfaqësueses, janë që Panuçi do të bëjë prova me formacionin, dhe do të përcaktojë lojtarët titullarë.
Dy ditë para ndeshjes eliminatore të Evropianit, kombëtarja do të zhvillojë për herë të parë dhe të fundit, dy seanca stërvitore në kompleksin “Tropikal” në Durrës, dhe italiani ka shumë punë për të bërë.
Me shpresë që të mos ketë dëmtime të tjera, ai do të provojë skemat dhe futbollistët, për të nxjerrë përfundimet e duhura.
Pritet që formacioni të jetë më i mbyllur se më parë, pasi vetë Panuçi premtoi se do të ishte më i kujdesshëm, të paktën kundër Turqisë të premten në mbrëmje, për ta pritur kundërshtarin, dhe për ta kapur në befasi me kundërsulm.
Trajneri pritet të luajë me skemën 4-3-3, e cila mund të kthehet lehtë në 4-5-1, në varësi të momenteve të ndeshjes. Berisha besohet i sigurt në portë, ndërsa Ismaili mund të jetë në krah të Gjimshitit, në mungesë të kapitenit Mavraj, të pezulluar pas të kuqit ndaj Skocisë.
Abrashi do të jetë i rëndësishëm në mesfushë, ashtu si Xhaka e Memushaj, ndërsa Grezda mendohet se është I gatshëm për të luajtur në të djathtë, me Uzunin në të majtë, për të ndihmuar Sadikun ose Balajn, në qendër sulmit./abcnews.al