Sërish skena dhune në ndeshjet e Superligës shqiptare. Stafi dhe lojtarët e Tiranës u përplasën me forcat e sigurisë në stadiumin e Fushë Krujës, në një ndeshje që Kastrioti vendas e fitoi me një penallti të dyshimtë.
Tifozët nuk hynë në fushë, por nuk qe e nevojshme.
Një tjetër ndeshje në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës kaloi me tension e nerva të skajshme, ndërsa rezultati me shumë gjasë u vendos nga vendimet e arbitrit.
Kastrioti mundi Tiranën minimalisht 1-0, falë një 11-metërshi të akorduar nga gjyqtari Olsi Sokoli, që krijoi probleme të mëdha.
Në minutën e 27-të, Maveje largon topin nga zona, ndërsa një lojtar krutan afrohet dhe rrëzohet, e për këtë veprim Sokoli dha penalltinë.
Jo vetëm që loja mund të ishte ndërprerë më parë për ndërhyrje të gabuar ndaj portierit të Tiranës, Abibi, por edhe duhej dhënë goditje dënimi në favor të Mavejesë, pasi ishte ai në zotërim të topit, ndërsa futbollisti i Kastriotit u afrua më pas.
Një rast i njëjtë me roveshatën e Kristof Piontekut të Milanit në rastin e golit ndaj Kievos, gol që u konsiderua I rregullt, pikërisht bazuar në këtë pikë të rregullores.
Tirana kërkoi edhe ajo penallti në fund të pjesës së parë, por Sokoli nuk e akordoi.
Me të vërtetë, rrëzimi i Dokës nuk u duk në kufijtë e vendimit ekstrem, por krijoi përshtypjen se ishte më shumë penallti sesa ajo që iu dha vendasve.
Në përfundim të ndeshjes së javës së 25-të Superligës, trajneri tiranas, Ardian Mema, nuk i mbajti dot nervat dhe shkoi të debatonte me arbitrin, por u ndalua nga një numër i madh i forcave të policisë bashkiake, si dhe nga rojet e sigurisë private.
Në stadium hynë edhe forca të policisë së rendit, që u përpoqën të largonin lojtarët e Tiranës drejt dhomës së tyre të zhveshjes. Këtu, u diskutua për një goditje të mundshme të lojtarit bardheblu, Grent Halili, ndonëse pamjet filmike nuk janë të qartë.
Burime pranë zyrtarëve të Federatës në ndeshje pohuan për ABC News-in se nuk pati goditje, dhe po kështu pohuan edhe burime të tjera, ndonëse gjithçka ishte shumë e dyshimtë.
Ndeshja ishte thuajse gjatë gjithë kohës e tensionuar, madje që në minutat e para kur Majkëll Ngo I Tiranës mund të kishte dalë me karton të kuq për shtyrje të kundërshtarit.
Atë që nuk e bëri gjyqtari, u detyrua ta kryente trajneri Mema, që e nxorri nga fusha sulmuesin për shkak se ishte tepër i nervozuar.
Kjo I prishi jo pak punë kryeqytetasve, për të cilët Ngo është pikë referimi.
Tirana pati pak raste shënimi, sidomos në pjesën e dytë, kur dy herë mund të kishte barazuar rezultatin, por fati nuk ishte me të.
Me këtë fitore, Kastrioti u ngjit në 24 pikë, sërish në vend të fundit, ndërsa Tirana mbeti e 7-ta me 29 pikë. /abcnews.al