Juventusi, humbja e parë në Serinë A këtë sezon

schedule17:56 - 17 Mars, 2019

schedule 17:56 - 17 Mars, 2019

Juventusi pësoi humbjen e parë të sezonit në Serinë A. Kampionët e Italisë u mposhtën 0-2 në fushën e Xhenoas, duke mos pasur në fushë Kristiano Ronaldon

Keqardhja e vetme ka lidhje me historinë.

Juventusi pësoi humbjen e parë këtë sezon, duke i dhënë fund ëndrrës për ta përfunduar Serinë A pa asnjë disfatë.

U mposht 0-2 në fushën e Xhenoas, me të dyja rrjetat në 15 minutat e fundit, madje të parën të pësuar nga Sturaro, ish-lojtar juventin.

E vetmja skuadër në Itali që kishte përfunduar pa humbje një kampionat me 20 skuadra ishte po Juventusi, në 2011-2012 drejtuar nga trajneri Antonio Konte.

Masimiliano Alegri të paktën këtë nuk do ta barazojë dot, ashtu siç nuk do të barazohet as Milani i Fabio Kapelos që mbylli pa humbje sezonin 1991-1992, ndonëse ai u luajt me 18 ekipe.

Ishte e pritshme që kjo të ndodhte një ditë.

Ata që marrin vesh nga futbolli mund ta parashikonin një humbje në stadiumin “Marasi” të Gjenovës, edhe sepse në fushë nuk ishte Kristiano Ronaldo, por edhe sepse juventinët ishin me energji të shterura pas kualifikimit heroik ndaj Atletikos në Champions.

Jo vetëm kaq, por edhe diferenca prej 18 pikësh ndaj Napolit të vendit të dytë, në fillim të kësaj jave, e bënte të padëmshme një humbje të mundshme.

Sturaro e Pandev shënuan për Xhenoan në minutat 77 e 81, ndërsa kampionët mbetën në 75 pikë në krye të Serisë A, tepër larg ndjekësve.

Synimet e sezonit janë që të gjithë të realizueshëm, me titullin në Serinë A në xhep, me finalen që do të luhet në Kupën e Italisë dhe me kualifikimin në çerekfinale të Championsit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!