Heronjtë e Kristçerç, një emigrant sfidoi agresorin

schedule16:26 - 17 Mars, 2019

schedule 16:26 - 17 Mars, 2019

Pavarësisht dhimbjes së thellë që shkaktuan, masakrat në qytetin Kristçërç të Zelandës së Re do të mbahen mend edhe për heroizmin e treguar nga disa njerëz. Mes tyre spikasin një emigrant i thjeshtë nga Afganistani dhe agjentët e policisë që arrestuan autorin e armatosur deri në dhëmbë.

Histori heroizmi kanë dalë nga sulmet ndaj dy xhamive në Kristçërç të Zelandës së Re. Një 48-vjeçar afgan ka deklaruar se u përball me agresorin e armatosur, ndërsa dy policë nga zonat rurale, të armatosur vetëm me pistoletë, arrestuan australianin Brenton Tarrant. Abdul Aziz, që emigroi nga Kabuli në Zelandën e Re shumë vite më parë, ndodhej në xhaminë Linvud kur dëgjoi të shtënat. Kur e kuptoi që xhamia po sulmohej, ai rrëmbeu një aparat për karta krediti dhe e hodhi në drejtim të agresorit në momentin kur ky i fundit po kthehej tek makina e tij për të marrë një armë tjetër.

Aziz, që ndodhej në xhami bashkë me 4 fëmijët e tij, u fsheh mes disa makinave për t’i shpëtuar plumbave të qëlluar nga Tarrant dhe më pas mori një armë që agresori e kishte hedhur në tokë. Aziz qëlloi ndaj Tarrant, por arma ishte bosh. Megjithatë, ai e ndoqi vrasësin që hyri për herë të dytë në xhami dhe u përball me të. “Kur më pa me armë në dorë, ai hodhi armën e vetë dhe u largua me vrap”, ka treguar Aziz. Imami i xhamisë Linvud, Latef Alabi është shprehur për “Associated Press” se po të mos kishte qenë për Aziz, numri i viktimave në xhami do të kishte qenë më i lartë. Nuk kanë bërë më pak dy policët, që të armatosur minimalisht me pistoletën e shërbimit, ndoqën agresorin, bllokuan makinën e tij dhe e arrestuan.

Momenti i arrestimit u filmua nga një dëshmitar, që postoi pamjet në rrjetet sociale. “Oficerët zgjodhën Zelandën e Re përpara vetes. Atyre do t’u njihen meritat për trimërinë e treguar”, deklaroi kryeministrja Jasinda Ardern. Edhe në xhaminë Al Nur, e cila u sulmua e para, nuk munguan heronjtë. 50-vjeçari Naim Rashid, me origjinë nga Pakistani, sfidoi agresorin në përpjekje për ta ndalur, por u qëllua prej tij. rashid ndërroi jetë më vonë në spital. “Ai shpëtoi disa jetë dhe na bën të ndihemi krenarë, por ndihemi edhe të shkatërruar nga humbja e tij”, ka treguar vëllai i tij Khurshid Alam. Autori i masakrave, Brenton Tarrant u shfaq të shtunën përpara trupit gjykues, ku iu komunikua akuza për vrasje të shumëfishtë, ndërkohë që të tjera pritet të ngrihen ndaj tij në vazhdim./abcnews.al