Bayern-Liverpool është ndeshja kryesore e Ligës së Kampionëve, mbrëmjen e sotme. Bavarezët jepen favoritë për kualifikimin pas barazimit pa gola në Angli.
Mund ta quajë veten me fat që ky moment erdhi tani.Trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, u paraqit në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Liverpoolit, me një lehtësim që nuk e kishte ndjerë javët e muajt e kaluar. Bavarezët barazuan 0-0 në Angli në duelin e parë të Championsit, dhe jepen favoritë për kualifikimin në çerekfinale.
“Nuk duhet të mendojmë rezultatin 0-0, – thotë kroati, – duhet të mendojmë vetëm për të fituar ndeshjen. Pavarësisht nga përmirësimi i javëve të fundit, dua ta shoh skuadrën edhe më luftarake. Duhet të hyjmë të përgatitur që në fillim, pasi për trajnerin është e vështirë të ndikojë gjatë ndeshjeve të tilla”.
Kovaç po bën llogaritë me formacionin dhe besohet se David Alaba e Kingsli Koman do të jenë gati, por që nga minuta e parë pritet ta nisë Frank Riberi, ai që dha 3 asistë në 9 minuta në ndeshjen e fundit të Bundesligës. Trajneri gjykon se këto janë ndeshjet tipike për francezin, me përvojën dhe emrin e madh në Ligën e Kampionëve.
Bajerni u shfaq një skuadër tjetër në Angli, nga ai që ishte parë gjatë sezonit. I fortë në mbrojtje, me ide të qarta, i saktë dhe kolektiv, duke marrë rezultatin që deshi.
Nota e vetme negative skualifikimi i lojtarit të rëndësishëm, Xhoshua Kimih, që nuk do të luajë sonte në “Allianz Arena”, ashtu si Tomas Myler, ende i dënuar nga UEFA. Gjithsesi, kapiteni Manuel Nojer, nuk ndihet i pasigurt.
“Kjo është ndeshja jonë, – tha ai, – Bajerni gjithnjë synon të fitojë çdo trofe, padyshim edhe Championsin. Pavarësisht se Liverpuli është shumë i fortë, jemi të bindur se mund t’ia dalim dhe të synojmë trofeun”.
Liverpooli, ndërkaq, udhëtoi drejt Mynihut po me besim. Skuadra angleze vuri këmbë në stadiumin impresionues bavarez, ku sonte do të ketë presionin e mbi 75 000 tifozëve kundërshtarë. Trajneri Jurgen Klop nuk ka shqetësime të mëdha. Mesfushori Keita mbeti në shtëpi, I dëmtuar, po ashtu edhe Okslejd-Çembërlen, por Xhejms Milner pritet të jetë gati.
Lajmi më i rëndësishëm është rikthimi i qendërmbrojtësit Van Dijk, i pezulluar në takimin e parë.
“Ne duam të fitojmë titullin, ne duam të jemi kampionë të Europës, por ne nuk i vendosim vetes presion për këto, – tha trajneri gjerman, duke qeshur në konferencën për shtyp, – ne nuk jemi budallenj, por nuk ndjejmë presion. Nuk mund të parashikojmë rezultatin, por mund të premtojmë se do të japim maksimumin”.
Bajerni jepet favorit për kualifikimin, pas barazimit pa gola në sfidën e parë, edhe pse pritet një duel shumë i ekuilibruar./abcnews.al

