Në mbështetje të Policisë së Shtetit për të kontrolluar shkelësit e ligjit në rrugë kanë dalë edhe 45 inspektorë të Transportit Rrugor. Në një intervistë për ABC, drejtori i këtij institucioni, Blendi Gonxhe shpjegon se çfarë do të kontrollojë kjo task forcë dhe cilat janë gjobat që do të vendosen ndaj tyre pasi dërgohen në komisionin e vlerësimit.
“Ata që janë të parregullt duhet të jenë realisht të shqetësuar sepse dokumentacioni, pesha e mjetit, numri i pasagjerëve, biletat, licencat, të gjitha llojet e dëshmive, të gjitha llojet e dokumentacioneve që janë për mallrat e rrezikshme, certifikimi i mjeteve, certifikata e drejtuesve të mjeteve.
Gjobat janë shumë të larta për transportin rrugor. Variojnë nga disa dhjetëra mijëra, në disa qindra mijëra dhe në disa milionë lekë të vjetra. Pastaj nëse një përsëritës mund të shkojë deri në qindra mijëra. Deri edhe në heqje licence, në pezullimin e licencës që mund të jenë disa mujore, ku është rasti këtu për licencat e udhëtarëve, është shumë e rëndë si masë sepse mund ta lërë pa punë një subjekt. Ne nuk duam të vëmë gjoba, nuk është ky qëllimi. Por nuk ka asnjë mundësi tjetër për ata që janë përsëritësa në shkeljet që bëjnë”.
Gonxhe thotë se objekt kontrolli do të jenë edhe shtetasit e huaj.
“Dhe kjo nuk është vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt, për bashkëatdhetarët tanë që punojnë me mjetet e firmave të huaja, për kosovarët, për të huajt të cilët tranzitojnë vendin tonë apo shërbejnë me transport në vendin tonë. Të gjitha këto i përgjigjen kësaj trupe që është task forca e transportit rrugor. Kuptohet që edhe policia rrugore ka gjithmonë kompetencat e plota për çdo nga kontrollet që ne po themi”.
Në lëvizje në zona me risk do të jetë edhe një pajisje kolaudimi.
“Ne kemi gjithsej një makineri të madhe dhe 4 makineri të vogla, që janë për mjete më të vogla, autovetura, mjete të një tonazhi më të ulët. Makineria e madhe që është një do lëvizë në ato pika ku analiza që na sjell task forca dhe të gjithë indikatorët që ne marrim nga trafiku dhe transporti rrugor i mallrave dhe i pasagjerëve, të jetë në pika risku të papritura, të befasishme, për të bërë kontrolle, për mos transportimin mbipeshë i cili dëmton infrastrukturën dhe rrugët”.
Drejtori i Transportit Rrugor theksoi se gjoba deri në 2 milionë lekë të vjetra janë aplikuar edhe ndaj servisëve që punojnë pa licencë dhe që në disa raste janë evidentuar duke errësuar xhamat e makinave.
/abcnews.al