Mbi 150 persona kanë humbur jetën si pasojë e një incidenti ajror të ndodhur ditën e diel në Afrikë. Një avion i linjës Etiopi-Kenia është rrëzuar për motive ende të paqarta dhe të gjithë personat që ndodheshin në bord kanë gjetur vdekjen.
Një avion pasagjerësh i llojit “Boeing” është rrëzuar të dielën gjatë një fluturimi nga Etiopia për në Nairobi të Kenias dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen 157 persona. Sipas mediave ndërkombëtare, në bord ndodheshin 149 pasagjerë të 33 kombësive të ndryshme dhe 8 anëtarë të ekuipazhit.
Një zëdhënës i linjës ajrore lokale ka deklaruar se incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, pasi avioni ishte ngritur nga aeroporti i kryeqytetit të Etiopisë, Adis Ababa. Në vendin e ngjarjes mbërritën ekipet e emergjencave, që deklaruan se nuk ka shanse për të mbijetuar.
Linja ajrore e Etiopisë është shumë popullore në kontinentin afrikan dhe ka një reputacion të fortë sa i takon sigurisë. Megjithatë, në vitin 2010 një nga avionët e saj u rrëzua në detin Mesdhe pak momente pasi ishte ngritur nga aeroporti i Beirutit. Në incident humbën jetën 90 persona që ndodheshin në bord.
Sidoqoftë, aksidenti me numrin më të lartë të viktimave deri më sot rezultonte ai i vitit 1996, gjatë një pengmarrjeje të fluturimit nga Adis Ababa në Nairobi. Një nga motorët e avionit u fik kur karburanti mbaroi dhe pavarësisht përpjekjeve të pilotëve për një ulje emergjente në ujë, mjeti u përplas me një barrierë koralore në Oqeanin Indian dhe 123 nga 175 pasagjerët në bord mbetën të vrarë./abcnews.al