Ministri i Jashtëm i Francës tha se presidenti rus Vladimir Putin, kur bën kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore, duhet të kuptojë se NATO gjithashtu është një aleancë bërthamore, por sipas tij ai e përjashtoi ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga NATO.
I pyetur nëse kërcënimi i Putinit për “pasoja që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj” ishte i barabartë me kërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore ruse në konfliktin në Ukrainë, ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian tha se me të vërtetë kuptohej si i tillë.
“Po, unë mendoj se Vladimir Putin gjithashtu duhet të kuptojë se aleanca Atlantike është një aleancë bërthamore. Kjo është gjithçka që dua të them për këtë pyetje”, tha ai në televizionin francez TF1.
Duke folur nga Kremlini, teksa nisi pushtimin e Ukrainës nga ushtria ruse, Putin tha se Rusia do të përgjigjet menjëherë me pasoja të papara ndonjëherë nëse ndonjë forcë e jashtme përpiqet të ndërhyjë.
“Kushdo që përpiqet të na pengojë dhe aq më tepër të krijojë kërcënime për vendin tonë, për popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë e menjëhershme. Dhe do të keni pasoja që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj“, tha presidenti rus.
/abcnews.al