Lekë Tasi: Ju rrëfej si reagoi ish spiuni im që takova në Grabjan pas diktaturës

schedule23:14 - 23 Shkurt, 2022

schedule 23:14 - 23 Shkurt, 2022

“Kemi përjetuar një liri me duart të lidhura në këto vite pasi nuk e kapërcyem dot kënetën morale që ndërtoi ai sistem”. Kështu e ka cilësuar periudhën post diktaturë ish i internuari në Grabjan të Lushnjes, 93 vjeçari Lekë Tasi në “Refleksione” në ABC.  I rikthyer në botën e pikturës, muzikës e sidomos letërsisë dhe rrëfimit pas kthimit nga internimi, Lekë Tasi ka rrëfyer se i ka kushtuar kohën studimit të procesit të atij degradimi të njeriut në kohën e diktaturës dhe hipokrizinë e shoqërisë në liri për shkak të mungesës së pendesës.

“Mbaj mend se kur jam rikthyer në Grabjan pas vitit 1990, kam takuar njerëz që i kisha njohur gjatë kohës së internimit dhe nuk prisja ndonjë ndryshim dramatik në psikologjinë e atyre që na kishin bezdisur, dëmtuar e spiunuar. Njëri prej tyre, kur më pa, që larg më thirri e më tha shpejt ‘ Ashtu ishte koha atëherë’. Me një fjalë, ai i përkiste një mase që i bindet psikologjisë së mbijetesës, por jo pendesës”, tha Tasi, duke shprehur keqardhjen se, në të gjithë këto vite, si shoqëri, nuk mundëm dot të ringrihemi në reagime njerëzore, civile, për të parë të shkuarën në sy.

Duke rrëfyer për dëshmitë e tij në kohën e internimit, tasi ka shpjeguar se, “Grabjani” ka qenë një libër jo thjesht për konkluzione politike, por për njohje psikologjike dhe humane për njeriun që mbijetoi.

“Kam qenë gjithnjë i interesuar të njoh njerëz të ndryshëm që të arrij në një sintezë mbi regjimin dhe mbi personin përballë regjimit. Jeta pa prova është vegjetim. Dhe në esenë që po përfundoj, këtë kam shkruar, se jeta është një provë e domosdoshme”, tha Tasi, duke kërkuar që psikologë, sociologë dhe politologë duhet të ndihmojnë në zbardhjen e asaj të shkuare, që Shqipëria të mos mbetet peng i së shkuarës, por të hedhë hapa vërtet drejt Europës.

“Shqiptarët duhet të tregojnë veten jo vetëm në biznes, por edhe në një ripërtëritje morale. Shoqëria gjatë këtyre tridhjetë viteve nuk u mendua dhe veprua në mënyrë inteligjente për të edukuar një rini që të kishte dashurinë për të jetuar dhe për t’u kthyer këtu”, tha Tasi në “Refleksione”. 

Duke kujtuar vitet e mbijetesës, Tasi ka kujtuar me shumë dashuri takimet në rininë e tij me Paskalin, Buzën dhe Bldion, të cilët i kanë forcuar atë trashëgimi familjare brenda tij që e lidhte me artin. Tasi, i cili ishte violinçelist në  Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës përpara se të internohej, në vitin 1975, bashkë me familjen e tij në Grabjan, iu rikthye më shumë penelit dhe shkrimeve pas ardhjes në Tiranë në vitin 1990.

“Muzikën dhe pikturën ma ndaluan, por u zhyta aty ku isha më i lire, në libra dhe në biseda. Ishte shumë e vështirë të jetoje në një sistem ku ndalohej gjithçka dhe që ishe nën survejim. Unë kisha shtatë veta në burg nga rrethi im familjar dhe farefisnor. Por unë zgjodha atë drejtim familjar që më ishte diktuar që në fëmijëri, për të qenë pjesë e artit”, tha Tasi në “Refleksione”.

Ai këmbëngul se jeta e njeriut, është pranimi i një realiteti polarizues mes të mirës dhe të keqes, por gjithnjë duke besuar se e mira dominon.  “Në libër kam shkruar se, isha i bindur se do dilnim nga diktatura, dhe veti humane do kishin mbetur, por veti civile jo. Oportunizmi, ndërrimi i faqes janë vese që sjellin shumë dëme.  Por ajo varfëri rriste masa të mëdha për të vjedhur, për të abuzuar. Por hipokrizia ekstreme e çdo  sistemi që mohon besimin në Zot, do të krijojë gjithnjë një masë hipokrite dhe jo humane”, tha Tasi, duke bërë thirrje që të gjenden rrugët që të rinjve t’u bëhet e njohur ajo që ka ndodhur me paraardhësit e tyre. /abcnews.al