FSHF dënon dhunën ndaj arbitrit në Kamzë

schedule20:00 - 3 Mars, 2019

schedule 20:00 - 3 Mars, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit kërkon vendim të skajshëm nga Komisioni i Disiplinës pas dhunës ndaj arbitrit, në stadiumin e Kamzës. Federata akuzoi edhe Policinë e Shtetit se nuk po bën detyrën e saj

Tashmë pritet të ketë ndëshkim shembullor.

Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar dënim të ashpër të dhunës ndaj arbitrit në ndeshjen Kamza-Laçi në Superligë.

Pas një mbledhjeje urgjente pas takimit, institucioni drejtues i futbollit në Shqipëri i ka bërë thirrje komisioneve përkatëse që të jenë ekstremist të ashpër për atë që ndodhi.

Po ashtu, Federata ka akuzuar Policinë e Shtetit se nuk po bën detyrën, pasi ajo është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë në mjediset sportive.

Federata i bën edhe një herë thirrje policisë që të rishikojë qëndrimin e saj dhe të rikthehet në stadiume, duke e quajtur vendimin e mëparshëm si të nxituar.

Reagimi nga institucioni i drejtuar nga presidenti Duka të lë të nënkuptosh se Komisioni i Disiplinës do të mbajë qëndrim tepër të ashpër, në mbledhjen e parashikuar ditën e martë.

Rreziku për Kamzën është i madh, pasi në nenin 65, pika 2, parashikohet deri edhe përjashtimi nga aktiviteti për klubin organizator të ndeshjes.

Kujtojmë se një rast dhune, po aq i rëndë, ndodhi në dhjetor 2011, kur gjyqtari Lorenc Jemini u dhunua në Laç, madje edhe nga drejtues, por Disiplina nuk e përjashtoi klubin kurbinas, duke I hequr 6 pikë në renditje, duke i dënuar stadiumin deri në fund të sezonit, dhe duke përjashtuar 2 vjet presidentin Laska.

Këtë sezon, Disiplina nuk ka dhënë dënimet e parashikuara nga Kodi i Disiplinës, në rastet e dhunës./abcnews.al