Deputetja rrëfen për gruan e dhunuar nga një person që tani punon në Polici, nis punën Prokuroria

schedule17:37 - 14 Shkurt, 2022

schedule 17:37 - 14 Shkurt, 2022

Deputetja Duda Balje, të shtunën, ka treguar diçka të rëndë që lidhet me luftën e fundit në Kosovë. Sipas saj, një grua i ka rrëfyer se është dhunuar nga një person, që tani është aktiv në Policinë e Kosovës, dhe i cili punon në Graçanicë. Kjo deklaratë ka aktivizuar Prokurorinë Speciale e cila thotë se do ta kontaktojë deputeten për të marrë informacione dhe për të hapur eventualisht rast. Balje të hënën ka thënë për Express se ka takuar edhe Kryeprokurorin e Shtetit, por ka pohuar se tani nuk ka kontakt me gruan në fjalë.

Prokurorja speciale Drita Hajdari, e cila ka ngritur aktakuza për krime lufte, paralajmëron hapjen e rastit të viktimës së dhunës seksuale, e cila ka deklaruar se e njeh dhunuesin, i cili sipas saj, punon në Policinë e Kosovës në Graçanicë.

Këtë rast e ka bërë publik deputetja Duda Balje në një paraqitje televizive.

Prokurorja Hajdari tha se janë në kontakt me deputeten Balje për të siguruar informacionin e nevojshëm për hapjen e rastit.

“Jemi në kontakt me deputeten për të siguruar prej saj informacionin e nevojshëm për hapjen e rastit”, ka thënë prokurorja speciale Drita Hajdari.

Deputetja Duda Balje e kontaktuar nga Gazeta Express, të hënën, tha se për këtë rast ka zhvilluar sot takim me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi dhe me përfaqësues të Zyrës për Krimet e Luftës, por ndjen keqardhje pasi thotë se më nuk ka kontakt me gruan që ia ka rrëfyer aktin e dhunimit.

“Unë sot kam pas takim me zotin Kryeprokuror dhe kam pas takim me zyrat për Krimet e Luftës, në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për fat të keq ky rast ka ndodh para dy vitesh dhe më nuk kam kontakt me këtë grua. Unë nuk kam të drejtë me publiku emër apo mbiemër të viktimës, pas dy vitesh unë nuk e di se a jeton gruaja në Kosovë, a është gjallë apo jo, unë asnjë kontakt të saj nuk e kam”, tha Balje.

Ajo madje thotë se sot e ka pasur edhe një rast të ngjashëm në zyrën e saj.

“Sot kam pas rast tjetër në zyrë në Kuvend, ka shumë raste, nuk është vetëm ky”, u shpreh ajo tutje.

Deputetja Duda Balje u shpreh në emisionin “Oxygen” në Klan Kosova së këtë histori e ka dëgjuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.

Ajo tha se kjo grua ka deklaruar se është dhunuar disa herë dhe e njeh dhunuesin e saj, ia di emrin dhe posedon fotografinë e tij.

“E ka ditë kush është personi dhe ku jeton personi, sepse e ka dhunu disa herë. Para një viti ka qenë në Komision te unë dhe ka thënë se është polic në shtetin e Kosovës, polic aktiv, dhe jeton në Graçanicë. Ka thënë se e ka përcjellë disa herë, e di shtëpinë, gruan dhe fëmijët e tij”, tha Balje.

Ajo tha se gruaja e cila pretendon se është viktimë e dhunës seksuale në luftë, ia ka rrëfyer këtë ngjarje të trishtë vitin e kaluar dhe se të njëjtën e ka takuar dy herë.

Pasi Balje thotë se ka insistuar të ndihmojë në zbardhjen e rastit, gruaja në fjalë i ka thënë se nuk është e gatshme të flasë.

Lidhur me rastin Gazeta Express ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës dhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim, por deri në publikimin e këtij teksti gazeta nuk ka pranuar përgjigje.

Mijëra persona, kryesisht gra, kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Është dashur më shumë se një dekadë, pas luftës, që viktimat e dhunës seksuale të flasin publikisht për përjetimet e tyre të tmerrshme. Deri më sot nuk ka pothuajse asnjë të dënuar për krimet seksuale në luftë. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!