Masat anti-COVID/ Protesta të dhunshme në Paris, policia përdor armë

schedule19:27 - 13 Shkurt, 2022

schedule 19:27 - 13 Shkurt, 2022

Policia në Paris ka arrestuar 97 persona dhe u ka vendosur 513 gjoba protestuesve, të cilët të shtunën zbritën nëpër sheshet e Parisit për të protestuar kundër masave shtrënguese anti-COVID.

Mes të arrestuarve ishte edhe një ndër liderët e grupit të jelek-verdhëve, Jerome Rodriguez. Për të gjithë të arrestuarit dhe të gjobiturit akuza është e njëjtë: organizim I një proteste të ndaluar. Gjithashtu, 300 makina u sekuestruan për shkaktim kaosi në qytet.

Prefektura e Parisit saktësoi se ndalimi i protestave do të mbetet në fuqi për gjithë ditën e Diel. Përveç personave që u ndaluan në Harkun e Triumfit të shtunën, ka pasur edhe ndërhyrje të tjera të policisë mesnatën mes të shtunës dhe të dielës në lagjen Champs Elysées.

Mediat franceze bënë të ditur se forcat e policisë në momente të caktuara u detyruan të qëllonin me armë zjarri për të shpërndarë grupet e protestuesve. Ndaj tyre gjithashtu u përdor edhe gaz lotsjellës.

Ndërkaq, qindra furgona janë parkuar në Bois de Boulogne në Paris. Synimi i protestuesve me furgona e tyre është nisja për në Bruksel, ku të hënën është planifikuar një tubim i madh I kundër Vaksinimit dhe Certifikatës së Vaksinimit.