“Rikthimi në vendlindje pas 46 vjetësh që isha larguar, më solli para syve klithmat, lebetitjet e nënave çame që kur isha fëmijë i kisha parë vetë me sytë e mi”. Kështu e ka nisur rrëfimin në “Refleksione”në ABC historiani Hajredin Isufi, i cili është larguar kur ishte vetëm 8 vjeç nga shtëpia e tij. I rikthyer në vitin 1989 në vendlindje, e më pas disa herë të tjera, Isufi ka kujtuar edhe histori të ndryshme që shumë nga vendasit nuk i harrojnë, edhe pse nuk arrijnë dot t’i thonë me zë të lartë.
“Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo që më rrëfyen vendasit për një histori, e ndodhur më 27 qershor 1944, kur bandat greke organizuan një gjyq popullor ndaj çamëve. Ata më rrëfyen se në atë gjyq ndodhi diçka e papritur, kur një grua nga paria e Parimithisë, doli përpara bashkëqytetarëve të saj duke kundërshtuar akuzat ndaj njërit prej të pranishmëve: kjo që po thoni nuk është e vërtetë, sepse ky njeri na ka ndihmuar, na ka mbrojtur kur jeta jonë ishte në rrezik. Kjo ishte Maria, e shoqja e Ringejve, që ishte vrarë më 29 nëntor 1943 nga gjermanët”, kujton Isufi, i cili ka përshkruar atë trishtim kur ka parë se përrenjtë e vegjël që i kujtonte nga fëmijëria ishin mbuluar nga gurët e shtëpive të rrënuara të çamëve.
Për Hajredin Isufin, është me rëndësi të njohim të vërtetën përmes dokumenteve. Ai ka kundërshtuar bashkëpunimin e çamëve me nazi-fashiste, duke e konsideruar këtë vetëm propagandë. Sipas tij, lufta italo-greke, që ishte një platformë politike fashiste, grekët e quanin si betejë edhe të shqiptarëve. E vërteta, sipas tij, është fakti se populli shqiptar, e sidomos çamët nuk e mbështetën fashizmin italian. Ai ka sjellë në vëmendje faktin e dokumentuar që është shënuar më 7 korrik në vitin 1941, kur Musolini pranonte përpara Hitlerit dështimin në Çamëri duke theksuar dy elemente: koha e keqe dhe mos mbështetja nga shqiptarët çamë!
“Mbaj mend se në Frar me pyetën për një Avdulla Kasemi. Në libra ai ishte një terrorist, një kapobandë. Unë i kisha lexuar librat e tyre se çfarë shkruanin për të. I thashë nuk e njoh. Por, në disa fshatra me radhë më pyesnin sërish për Avdulla Kasemin. Më në fund pyeta: ore çfarë është Avdulla Kasemi për ju? Dhe ai më tha se, kur gjermani na dogji fshatin, Avdulla Kasemi na solli 40 kafshë me ushqime në Frar për të mbijetuar, sepse ne po ushqeheshim me bar. Ai ka qenë mjek popullor dhe kush shkonte në Margëlliç e njihte, sepse të gjithë i ndihmonte me ilaçe e bereqet’’ . Edhe në Morfat, afër Pargës, më thanë se është vrarë Jasen Sadiku. Kur pyeta se cili ishte ai, me thanë se e kishin vrarë në pabesi, ngaqë nuk donte vëllavrasje dhe këtë e vranë italianët, që nuk arritën dot të fusnin në luftë çamët myslimanë me grekët e krishterë”, ka rrëfyer Isufi në “Refleksione”.
Sipas Hajredin Isufit, qeveria shqiptare i ka parë çamët si armik në vitet e para të pasluftës. “Shumica e drejtuesve të rinj në Shqipëri i lexonte ashtu siç i lexonin çamët komunistët grekë. Raportet e seksioneve që i dërgoheshin ish Sigurimit të Shtetit tregonin se; çamët nuk e duan sistemin tonë, se dëgjojnë Radio Londrën dhe Zërin e Amerikës, se nuk duan reformën agrare sepse mendojnë se do shpronësohen kur të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha Isufi, duke u shprehur se çamët u gjendën pas ardhjes në Shqipëri si me një saç të nxehtë në kokë.
“E rëndësishme është se duhet thënë e vërteta, edhe kur është e hidhur. Fatkeqësia jonë është sene nuk njohim historinë vetvetes e as historinë e fqinjëve. Mbaje mend se kur u larguam nga shtëpitë tona, kishim strehë qiellin e dysheme tokën. E vetmja mbrojtje e familjeve çame ishin qilimat që morën nënat tona në largim. Unë e kam përjetuar në fëmijërinë time. Ne nuk e dinim se çfarë na priste. Por një gjë kam të pashlyer në kujtesën time- pritjen e përzemërt të vëllezërve shqiptarëve”, ka kujtuar Isufi, i cili ka kujtuar një natë në fshatin Sopik, kur vendasit morën ne të vegjlit dhe i ngrohën e i ushqyen për katër ditë me radhë.
Ai ka shpjeguar në “Refleksone”në ABC News edhe arsyet e dorëzimit të pasaportave, që sipas tij ishin për shkak të mbijetesës në Shqipëri, për të fituar të drejtën e qytetarit shqiptar. Për të pronat e çamëve mbetën ta pazgjidhura dhe se duhet ende shumë punë për të njohur të vërtetën. Sipas Isufit, platforma e Greqisë ishte shpopullimi i plotë i krahinës së çamërisë. /abcnews.al