Nga Fawaz A.Gerges “Foreign Policy”
Duke përgëzuar suksesin e operacionit ushtarak amerikan, që solli vrasjen e liderit të Shtetit Islamik, Abu Ibrahim Al-Hashimi Al-Qurayshi, në Idlib të Sirisë, të enjten e shkuar, presidenti i SHBA-së Joe Biden deklaroi se ai operacion tregoi se forcat amerikane mund të “zhduknin” çdo lloj kërcënimi terrorist kudo në botë.
Megjithatë shmangu deklaratën se vdekja e Al-Qurayshi ishte një goditje strategjike për grupin. Kjo qasje diktohet nga vetë dija e qartë e administratës Biden mbi pasiguritë e shumta që shoqërojnë luftën kundër Shtetit Islamik.
Nga njëra anë, vdekja e Al-Qurayshi, përbën një goditje të madhe për Shtetin Islamik. Sfida me të cilën përballet grupi radikal, është të gjejë një zëvendësues për Al-Qurayshi, që të ruajë vazhdimësinë me themeluesit e lëvizjes, si Abu Musab Al-Zarqawi, i cili themeloi në vitin 2004 Al Kaedën në Irak, dhe Abu Bakr Al- Baghdadi, liderin e mëparshëm të Shtetit Islamik, që vdiq gjatë një operacioni të trupave speciale amerikane në vitin 2019.
Al-Qurayshi ishte një shok i ngushtë i Zarqawi dhe Baghdadi. Ndaj kur mori drejtimin e grupit pas vdekjes së Baghdadit ai siguroi si legjitimitet po ashtu edhe vazhdimësi. Por shumica e anëtarëve të këtij brezi themeluesish janë vrarë, gjë që ngre probleme serioze për udhëheqjen dhe drejtimin e ardhshëm të lëvizjes.
Nga ana tjetër, vdekja e Al-Qurayshi nuk do t’i dëmtojë edhe aq operacionet e përhapura të grupit, të cilat shtrihen në shumë zona në mbarë botën. Duke u bërë gjithnjë e më i shkathët kohët e fundit, Shteti Islamik është shndërruar nga një kalifat i centralizuar nga lart-poshtë në një kryengritje të decentralizuar, kryesisht rurale, por gjithsesi shumë të qëndrueshme. Vdekja e një lideri tjetër kryesor, nuk ka gjasa të sjellë ndonjë ndryshim të madh në këtë kryengritje të përhapur dhe vdekjeprurëse që po shihet në Siri, Irak, Afganistan dhe më gjerë.
Në fakt, nëse përvoja e kaluar mund të cilësohet një lloj udhërrëfyesi, vrasja e Al-Qurayshi do të ketë më shumë një ndikim taktik sesa strategjik mbi Shtetin Islamik. Për shembull, pas humbjes së kalifatit territorial të Shtetit Islamik në vitin 2019, dhe vdekjes së liderit të tij karizmatik Al-Baghdadi, presidenti i atëhershëm i SHBA-së Donald Trump deklaroi para kohe se “e kemi mposhtur ISIS-in”, dhe se të gjitha trupat amerikane në Siri dhe Irak do të riktheheshin në shtëpi.
Triumfalizmi i Trump, të kujtonte deklaratën famëkeqe të ish-presidentit amerikan George W. Bush “Misioni u krye!”, menjëherë pas pushtimit të Irakut në vitin 2003. Megjithatë, ashtu si Bush, edhe deklarata e Trump u dëshmua të ishte dritëshkurtër dhe e turpshme.
Misioni nuk ka përfunduar as në Irak dhe as në Siri, dhe Shteti Islamik nuk është mposhtur ende një herë e përgjithmonë. Shumë kohë përpara humbjes së kalifatit të tij fizik në Irak dhe Siri, përkatësisht në vitet 2017 dhe 2019, ISIS nisi të mendonte për të ardhmen.
Duke dërguar luftëtarë dhe drejtues të nivelit të mesëm në male dhe shkretëtira, si dhe zona të tjera të sigurta në Irak dhe Siri, ky grup ka mundur qëtë mbijetojë edhe pa pasur një bazë territoriale.
Për më tepër, anëtarët e Shtetit Islamik janë dërguar edhe në Afganistan, Libi dhe pjesë të tjera të Afrikës për të krijuar baza, si dhe për të zgjeruar operacionet. Si rezultat i këtij planifikimi paraprak, Shteti Islamik ka vazhduar të qëndrojë në këmbë, pavarësisht humbjes së kalifatit të tij territorial në Siri dhe Irak.
Me rreth 10.000 luftëtarë aktivë të radikalizuar, që janë ende të gatshëm të japin jetën për kauzën e grupit, Shteti Islamik ka sot aftësinë dhe vullnetin për të vazhduar një luftë të zgjatur. Operativët e nivelit të mesëm kanë autonomi operacionale, dhe mund të veprojnë pa udhëzimet e ndonjë autoriteti më të lartë.
Gjatë 3 viteve të fundit, Shteti Islamik ka kryer mijëra sulme vdekjeprurëse në Irak, Siri dhe gjetkë, duke vrarë qindra forca sigurie, figura të njohura fisnore dhe liderë lokalë, duke e imponuar autoritetin dhe kontrollin e tij mbi komunitetet sunite rurale.
Ditë përpara sulmit që vrau Al-Qurayshi, Shteti Islamik ndërmori një sulm shumë kompleks dhe të koordinuar mbi një burg në qytetin Hasaka në verilindje të Sirisë, ku strehoheshin më shumë se 3.000 anëtarë të dyshuar të grupit, dhe gati 700 djem që ishin fëmijë të luftëtarëve të Shtetit Islamik.
Dy kamikazë me makina shpërthyen dyert e burgut, duke mundësuar futjen e dhjetëra luftëtarëve që morën peng stafin e burgut. Edhe me ndihmën e SHBA-së me automjete të blinduara, helikopterë sulmues dhe sulme ajrore, forcave kurde iu deshën më shumë se 1 javë që të dëbonin nga burgu luftëtarët e Shtetit Islamik.
Gjatë përleshjes u vranë dhjetëra anëtarë të milicisë kurde dhe qindra anëtarë të Shtetit Islamik, gjë që dëshmon intensitetin dhe qëndrueshmërinë e grupit. Forcat e udhëhequra nga SHBA dhe kurdët, e kishin ditur paraprakisht se grupi kishte premtuar vazhdimisht se do të lironte luftëtarët e tij të robëruar.
Ndërkohë ka prova në rritje se ISIS ka ripërtërirë vazhdimisht radhët e tij me rekrutë më të rinj, kryesisht nga familje ku anëtarët më të mëdhenj në moshë kanë pasur lidhje me grupin, por dhe nga sunitë të zhvendosur brenda vendit dhe të përjashtuar nga shoqëria.
Dhe është tronditës fakti që disa vite pas dëbimit të Shtetit Islamik nga qendrat kryesore urbane në Irak, vendi mbetet i mbushur me dhjetëra mijëra sunitë të zhvendosur brenda vendit, të cilët trajtohen me përbuzje dhe përjashtim.
Të afërmit e anëtarëve të Shtetit Islamik janë vendosur në kampe paraburgimi, një fakt që ka krijuar pakënaqësi madje edhe radikalizim. Ngjashëm edhe në Siri, shpërbërja e kalifatit në vitin 2019 nuk ka sjellë as stabilitet dhe as prosperitet. Mosmarrëveshjet civile dhe rivalitetet gjeostrategjike, e kanë shndërruar vendin në një magnet për ekstremistët e të gjitha ngjyrave dhe vijave, përfshirë Al Kaedën, Shtetin Islamik dhe milicitë sektare.
Nuk ishte rastësi që si Bagdadi po ashtu dhe Al-Qurayshi,ishin të vendosur në Idlib pranë kufirit siriano-turk, një zonë që është jashtë kontrollit të qeverisë siriane, dhe njëherazi shtëpia e miliona refugjatëve sirianë dhe luftëtarëve të huaj.
Qeveritë e huaja kanë refuzuar të riatdhesojnë mijëra qytetarë të akuzuar si luftëtarë të ISIS dhe dhjetëra mijëra anëtarë të familjeve të tyre, në një kohë që kurdët nuk kanë qenë në gjendje t`i sigurojnë plotësisht burgjet dhe kampet e paraburgimit. Ekziston një rrezik real që këto kampe mund të bëhen inkubatorë të gjeneratës së ardhshme të luftëtarëve të Shtetit Islamik.
Gjithsesi, Shteti Islamik nuk është ende një kërcënim strategjik. Ai është i prekshëm dhe i brishtë, pasi nuk kontrollon më një territor të rëndësishëm dhe është i shpërndarë kudo. ISIS ka humbur jo vetëm kalifatin e tij, por edhe liderët kryesorë. Prania e tij është aktualisht e kufizuar në zonat rurale, male dhe shkretëtira, nga të cilat nisin sulmet.
Por këmbëngulja e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, flet për nevojën urgjente të adresimit të ankesave legjitime sunite përmes pajtimit dhe rindërtimit të Irakut dhe Sirisë bazuar në sundimin e ligjit, shtetësinë dhe gjithë përfshirjen.
Sigurisht, kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Por Shteti Islamik është një simptomë si e degradimit të institucioneve shtetërore në zemër të botës arabe dhe islame, po ashtu edhe e ndërhyrjeve intensive dhe të përsëritura të vendeve të huaja në punët e brendshme të rajonit. /abcnews.al
Shënim: Fawaz A.Gerges, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.