Irani: Heqja e sanksioneve, kyçe për ringjallje të paktit bërthamor

schedule12:23 - 7 Shkurt, 2022

schedule 12:23 - 7 Shkurt, 2022

Irani ka thënë se e konsideron heqjen e sanksioneve amerikane si “vijë të kuqe” në negociatat me fuqitë botërore, për të zbatuar sërish marrëveshjen bërthamore.

Më 2015, Teherani ka arritur marrëveshje me fuqitë botërore për kufizim të aktivitetit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Mirëpo ish-presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja më 2018 dhe ka rikthyer sanksionet, duke bërë që Irani gradualisht t’iu shmanget zotimeve të bëra në marrëveshje.

Të dyja palët kanë mbajtur tetë runde të negociatave indirekte në Vjenë – prej prillit të vitit të kaluar – me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes.

“Çështja e heqjes së sanksioneve dhe ajo që Irani të përfitojë nga kjo gjë, përbëjnë vijë të kuqe për Iranin në bisedime”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, në një konferencë për media në Teheran më 7 shkurt.

Khatibzadeh ka thënë se bisedimet në Vjenë do të rinisin më 8 shkurt, ndonëse nuk ka njoftim zyrtar për këtë gjë.

Uashingtoni ka njoftuar më 4 shkurt se ka rikthyer disa masa kundër sanksioneve – të hequra nga Trump – hap që sipas Teheranit ka qenë i pamjaftueshëm.

“Uashingtoni ka vendosur të marrë një hap që nuk ka ndikim në situatën ekonomike të Iranit… një qeveri e përgjegjshme (amerikane) duhet të kthehet në marrëveshje dhe të zbatojë obligimet”, ka thënë Khatibzadeh.

Bisedimet në Vjenë janë ndalur më 28 janar, pasi negociatorët janë kthyer në kryeqytetet respektive për konsultime.

I dërguari i posaçëm amerikan për Iran, Robert Malley, ka thënë më 6 shkurt se ai do të kthehet shpejt në Vjenë, duke insistuar se pakti mund të ringjallet./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!