Nuk do të ketë rritje tarifash me Kinën pasi pritet një marrëveshje mes dy vendeve në fushën e ekonomisë. Deklarata është bërë nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili premtoi se brenda një jave do të letë lajme të mrekullueshme.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të zgjasë paqen tregtare me Kinën, e cila skadonte në 1 Mars, si dhe po programon një takim të ri me presidentin kinez, Xi Jinping, në rezidencën e tij në Florida, për të arritur një marrëveshje.
Reagimi i bursave kineze ka qenë i menjëhershëm, të cilat kanë reflektuar me shifra optimizmin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Trump u shpreh se do të shtyjë në kohë skadencën për rritjen e tarifave nga 10 në 25 për qind ndaj produkteve kineze, të cilat arrijnë vlerën e 200 miliardë dollarëve. Por presidenti amerikan konfirmoi dhe progrese domethënëse me Pekinin duke shtuar se dhe homologu kinez është i gatshëm ta takojë.
Ai madje shkon dhe më tej duke thënë se brenda një jave do të ketë lajme shumë të mira për sa i përket tarifave me Kinën. Trump i bëri këto deklarata pas takimit në Uashington me një delegacion kinez. Ai theksoi së Kina është treguar e mrekullueshme dhe duhet arritur një marrëveshje që të jetë shumë e mirë për të dyja palët./abcnews.al