Kohë për aleanca të reja? Kriza e Ukrainës dhe diplomacia e europianëve

schedule08:57 - 4 Shkurt, 2022

schedule 08:57 - 4 Shkurt, 2022

Në konfliktin e Ukrainës europianët po mundohen të gjejnë zgjidhje nëpërmjet formateve të ndryshme të bisedimeve, jo vetëm formatit të Normandisë. Kryeministri britanik po kërkon tani krijimin e një pakti të ri ushtarak.

Në Parlamentin ukrainas janë luajtur këtë javë skena të pazakonte. Dy duzina deputetësh u mblodhën rreth mikrofonit në podium duke mbajtur në duar flamuj të NATO-s dhe flamuj me ngjyrat kombëtare të shteteve aleate, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që vjen nga jashtë në konfliktin me Rusinë. Dy herë u pa dukshëm: Union Jack i Mbretërisë së Bashkuar.

Edhe kur kryeministri britanik Boris Johnson shkoi ditën e martë (01.02) në Kiev për një vizitë, flamujtë britanikë lëkundeshin në rrugët e kryeqytetit ukrainas. Duket hapur se Ukraina i është mirënjohëse kryeministrit që vjen nga Londra, i cili është goditur shumë në politikën e brendshme. Qeveria e Johnsonit i dërgoi Ukrainës javën e kaluar tanke mbrojtëse, ushtria britanike mëson ushtarët ukrainas dhe kreu konservator i qeverisë i premtoi tani Kievit që ndodhet në krizë, një ndihmë financiare prej 100 milionë eurosh.

Por Boris Johnsoni ka folur në Kiev me partnerët e tij edhe për një temë tjetër: për krijimin e një pakti ushtarak Londër, Varshavë, Kiev. Ministrja britanike e Jashtme pritej ta prezantonte projektin zyrtarisht ditën e mërkurë (03.02), por për shkak të gjendjes shëndetësore, Elizabeth Truss e anuloi prezantimin.

Ëndrra për të krijuar një Mini-NATO

Edhe pa prezantim zyrtar, ideja është siç thotë presidenti ukrainas i shtetit Volodymyr Selenskyj, për krijimin e një “aleance të vogël”, të cilën ai e quan “sinjal shprese “. Ministri i tij i Jashtëm, Dmytro Kuleba, tregon për arsyet: Synimi kryesor i Aleancës është forcimi i rripit të sigurisë dhe forcimi i Aksit Deti Baltik – Deti i Zi, duke pasur parasysh rëndësinë që ka për Ukraninën prezenca e marinës polake në Detin Baltik dhe prezenca e forcave të armatosura britanike në Detin e Zi, të cilat ndihmojnë forcat e armatosura ukrainase. „Ne nuk mund të presim që siguria dhe mirëqënia të vijnë dikur në të ardhmen, kur të bëhemi anëtar të BE dhe të NATO-s. Ne na duhen ato tani,” shpjegon ministri.

Oleksandr Mereschko, kryetar i Komisionit për politikën e Jashtme në Parlamentin ukrainas, shikon tek Polonia dhe Britania e Madhe partnerët strategjikë më besnik për Ukrainën. „Mbase ia vlen të mendohet për krijimin e një Mini- NATO-je. Që mund të ishte në gjendje të ekzistonte, sepse Britania e Madhe është një nga vendet kryesuese të Europës, megjithëse nuk është anëtare e BE-së,” i tha Mereschko Deutsche Welles.

Në publikun britanik pakti ushtarak që mendohet të krijohet shihet më me kthjelltësi. Johnsoni shpreson që me krizën e Ukrainës të dëshmojë kualitetet e tij si burrë shteti, për t’iu përgjegjur kështu kritikave ndaj personit të tij që vijnë edhe nga rradhët e veta, shkruan gazeta e majtë liberale “Guardian”. Ish-diplomati Hans-Dieter Heumann, nuk mendon se Aleanca është e motivuar vetëm prej politikës së brendshme: „‘Aleanca treshe‘ me siguri nuk do të jetë aleancë zyrtare,” analizon ish- presidenti i Akademisë Federale për Politikën e Sigurisë, i cili jep tani leksione në Universitetin e Bonit. Në bisedë me Deutsche Wellen ai thotë: “Ne shohim një përpjekje të kryeministrit për të dëshmuar pretendimin e deklaruar më parë për një Global Britain, pra një aktor global pa BE-në.”

Polonia si Partner

Nuk është çudi që krah kryeministrit britanik edhe Polonia angazhohet për krijimin e aleancës. Varshava është aleati më i ngushtë i Ukrainës në NATO dhe Bashkimin Europian. Udhëheqja polake është e interesuar t’i forcojë krahët Ukrainës aty ku të mundet. Por qeveria polake e bën shumë të qartë ku i ka kufijtë ky Pakt. “Aktivitetet e veçuara nuk janë në interesin tonë. Forca jonë ndodhet tek NATO. Nëse do jetë e nevojshme të dërgohen trupa në Ukrainë, ne do ta bëjmë këtë me miratimin e NATO-s,” thotë gjenerali Valdemar Skrzypczak, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura polake dhe ish- zëvendësministër i Mbrojtjes. Ai foli në një intervistë për Agjencinë PAP.
Skrzypczak e shfrytzoi intervistën për Paktin ushtarak edhe për të kritikuar qartë politikën gjermane ndaj Ukrainës: “Dërgimi i pesë mijë helmetave nga Gjermania në Ukrainë ka një karakter estrade. Qëndrimi gjerman është i paqartë.”

Për qeverinë gjermane ky vlerësim nuk është pa probleme, sepse krah Britanisë së Madhe edhe Gjermania dhe Franca kërkojnë të marrin ndihmën polake në diplomacinë për Ukrainën. Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi për këtë arsye një takim të premten me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin polak të shtetit, Andrzej Duda. Por një takim i tillë i treshes së Vajmarit nuk do të mbahet: për shkak të vështirësive me oraret e takimeve.

Sipas njoftimeve të mediave ata të tre do të takohen javën e ardhshme në Berlin. Presidenti polak do të shkojë të premten (04.02) në Pekin për të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike.

Muzika luhet në Uashington

Me formatin Normandi, ku aktualisht ndërmjetësuesit gjermanë dhe francezë zhvillojnë bisedime me Rusinë dhe Ukrainën, me trekëndëshin e Vajmarit apo me aleancën e re treshe të forcuar nga Londra shihet se qeveritë e Europës janë duke vepruar aktualisht me konstelacione të ndryshme për të arritur zgjidhje të krizës. Eksperti për çështjet e sigurisë, Heumann, mendon se Aleanca e re nuk do të luajë ndonjë rol të rëndësishëm për zgjidhjen e konfliktit. Krijimi i një Mini-NATO-je, siç shpresojnë disa politikanë ukrainas është krejtësisht iluzion. Aleanca të reja, të plota, jashtë NATO-s nuk do të ketë, thotë Heumann, edhe sepse aktualisht kjo do të dobësonte disa aleanca ushtarake.

Në nivel diplomatik, Heumann i hedh sytë nga Uashingtoni, ku qeveria amerikane ka krijuar një hapësirë të re për bisedime, nëse përgjigjet e kthyera Rusisë nga NATO dhe SHBA janë autentike, siç janë publikuar në gazetën spanjolle “El Pais”. Përgjigjen e veçantë të qeverisë amerikane drejtuar Moskës, të ndarë nga letra e NATO-s, ish-diplomati e sheh me vëmendje.

Në këtë mënyrë SHBA ka pranuar paraprakisht që siguria nuk duhet të arrihet në kurriz të shteteve të tjera. NATO është duke vepruar deri tani duke u bazuar tek parimi i zgjedhjes së lirë të aleancave. Konkretisht: Asnjë shtet nuk pengohet të hyjë në NATO, edhe nëse ai ndodhet në kufi me Rusinë. Kurse Moska këmbëngul në garantimin e sigurisë së pandarë dhe të pashmangshme.

Prandaj letra nga Uashingtoni është për Heumannin një hap përpara: „Tani në tavolinë ka madje propozime konkrete për tërheqjen dypalëshe të trupave ruse në kufi me Ukrainën dhe infrastrukturën amerikane në Ukrainë. Kështu që bisedimet serioze mund të fillojnë.”

Shanse për formatin Normandi

Aktualisht duket sikur çështjet strategjike për sigurinë në Europë vendosen në nivel bilateral midis Uashingtonit dhe Moskës. Britanikët, francezët, gjermanët, por edhe polakët, e vendosin ndikimin e tyre nëpërmjet NATO-s.

Përparime për njerëzit në Ukrainë dhe për gjendjen në territoret separatiste, mendon Heumann, mund të arrihen nëpërmjet formatit Normandi, ku aktualisht ndërmjetësuesit janë duke kërkuar zgjidhjet.

Nëse më vonë, nën udhëheqjen e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, mund të arrihet ndonjë kthesë në këtë skenë, atëherë fotografia e ardhshme nga Parlamenti ukrainas do tregojë mbase flamujtë gjermanë dhe francezë, të vendosur mbi ndërtesën e Parlamentit në Kiev. Këto flamuj nuk u panë atje këtë javë./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!