Përqindja e amerikanëve që miratojnë veprimet e Presidentit Joe Biden ka shënuar nivelin më të ulët të besueshmëirsë gjatë kësaj jave, gjë që tingëllon alarmante për Partinë Demokratike, pasi rrezikon të humbasë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e pjesshme të 8 nëntorit, sipas një sondazhi të kryer nga Instituti Ipsos.
Sondazhi nxorri në pah se vetëm 41% e të rriturve amerikanë i miratojnë veprimet e Biden pas marrjes së pushtetit, 56% nuk i miratojnë vendimet. Javën e kaluar, ky sondazh i përhershëm tregoi se 45% miratuan veprimet e kreut të shtetit, ndërsa 50% nuk i miratuan.
Lodhja nga pandemia dhe ndikimi i tij financiar po arrin kulmin. Rreth gjashtë në 10 qytetarë besojnë se vendi po ecën në drejtimin e gabuar, ku ekonomia dhe shëndeti publik janë në kaos.
Popullariteti i Joe Biden shënoi rënie në mes të gushtit, kur vdekjet nga COVID-19 u rritën ndjeshëm në Shtetet e Bashku. Demokratët janë gjithnjë e më të shqetësuar se pakënaqësia me Biden do t’u kushtojë atyre humbjen e shumicës së tyre në të dy dhomat e Kongresit. Nëse republikanët sigurojnë kontrollin ose të Dhomës së Përfaqësuesve ose të Senatit, agjenda legjislative e presidentit nuk do të funksionojë.
Popullariteti i Biden, megjithatë, mbetet mbi nivelin më të ulët të paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili ra deri në 33% në dhjetor 2017.
Sondazhi përfshiu 1005 të rritur, nga të cilët 443 ishin demokratë dhe 377 republikanë.
/abcnews.al