Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka reaguar në lidhje me seancën e sotme plenare ku pritet shkarkimi i tij. Abazoviç në fjalën e tij ka theksuar se nuk pret diçka spektakolare në seancën e sotme.
Ndër të tjera ai ka thënë se qeveria aktuale e kryesuar nga kryeministri Zdravko Krivokapiç duhet të bjerë.
“Gjëja më e rëndësishme është që Mali i Zi të ketë një qeveri evropiane sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë duhet të votojnë siç mendojnë se duhet, jam i qetë për këtë. Unë thjesht dua të vazhdoj përpara”, është shprehur ai.
LEXO EDHE: Kuvendi i Malit të Zi vendos sot për zv-kryeministrin Dritan Abazoviç
Sipas tij, skenari ideal është që të ketë një qeveri me mbështetjen e të paktën 49 deputetëve, për një periudhë të kufizuar kohore dhe të organizohen zgjedhje të ndershme.
Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi sot do të vendosë për propozimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit dhe liderit të Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviç.
Propozimin për shkarkimin e Dritan Abazoviçit e ka dorëzuar kryeministri Zdravko Krivokapiç./abcnews.al