Ishte vetëm 13 vjeç kur u bë instrumentisti më i ri i Orkestrës së RTSH-së. Pofesori i tij në Liceun Artsitik, Avni Dajko, kishte ftuar maestron Ferdinand Deda, që të dëgjonte nxënësin e tij të talentuar në korno.
“Unë i kam njohur kolegët e mi në orkestrën e RTSH-së, unë isha fëmijë, vetëm 13 vjeç, kur maestro Ferdinand Deda, më dëgjoi pasi profesor Avniu e ftoi dhe unë luajta koncertinon për korno-orkestër të shkruar nga maestro Deda. Ai më shoqëroi vetë në piano. Pasi mbaruam, më ftoi që në koncertin për nder të 60-vjetorit të tij ta luaja unë. Ishte një gjë e pabesueshme për mua. Ishte shumë emocion. Ekipi i orkestrës që dirigjohej nga maestro më pranoi si të isha një nga anëtarët e orkestrës dhe kjo më dha shumë besim. Ky ishte impakti i parë me botën profesioniste”, ka kujtuar në “Refleksione” në ABC kornisti i Orkestrës së RTSH-së, Arbër Neziri. Për të, ndihma e profesor Dajkos ka qenë vendimtare në rrugëtimin që mori. “Në ato vite të fillimit të liceut artistik, mbaj mend se instrumentat e parë me të cilat luanim ishin të vjetër, të ardhur nga periudha komuniste. Ishte vështirësi jo vetëm për instrumentat, por edhe për partiturat. Mbaj mend që profesor Avniu më ka dhënë një kasetë të vjetër të ‘Deutsch Gramafon’, ku ishin inçizuar koncertet e Mozartit për korno dhe orkestër nga filarmonia e Berlinit. I mësova përmendësh të gjithë koncertet e Mozartit. Dhe kur luajta herën e parë në koncert më vinte pikërisht ajo kasetë. Atë kasetë më vonë e kam gjetur në Itali në formë CD-je dhe atë inçizim e ruaj ende si shumë të shtrenjtë”, ka kujtuar Neziri.
Për solistin e kornos në orkestrën e RTSH-së, ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm ai drejt Italisë, nga ku ai rrëfen se ka ndryshuar këndvështrimi i tij për muzikën dhe botën. “Pak kohë pasi luajta me orkestrën e RTSH , në një koncert në Akademinë e Arteve vijnë dy kornistë italianë që bëjnë një leksion të hapur për korno. Në atë koncert, dy kornistat që më ndoqën më këshilluan që të studioja në Itali, në Firence. Dhe kështu nisën përpjekjet e para për regjistrim, në konservatorin Bokerini në Luka. Një vit më vonë, pas audicionit, bëhem pjesë e konservatorit, duke zënë vendin e parë. Isha shumë i vogël dhe për mua ishte një jetë e re. Isha i vetëm, larg familjes. Ishte një rrugëtim i ri për mua. Më pas hyra dhe në shkollën e muzikës në Fiezole në Firence, me maestro Guido Cortin, që është një nga kornistët më të mëdhenj të skenave botërore. Corti, pas dëgjimit, më mori në klasën e tij, si studentin e tij. Aty u njoha me profesionalizmin ndërkombëtar të kornos dhe më duket se hapa dyert e një bote tjetër”, ka kujtuar Neziri në “Refleksione”.
Sipas tij, maestro Corti ishte ai që i përtëriu gjithë pasionin dhe i dha një dimension të ri për kornon.” Isha më i vogli i klasës me kornistë nga e gjithë bota. Ishte një shkollë elitare. Një vit më pas u bëra pjesë e orkestrës rinore italiane, ku merrnin pjesë më të talentuarit e shkollave të muzikës italiane. Kam luajtur aty me dirigjentë si Ricardo Mutti dhe shumë muzikantë të famshëm. Në vitin 2005 isha me fat që fitova konkusin kombëtar në Itali, ‘Daniele Ridolfi’, për instrumentistët e frymës që më pas më hapi rrugën që të luaja me shumë orkestra në Itali, sidomos në zonën Toskanës”, ka rrëfyer Neziri. Pas kthimit nga Italia, ai inicioi edhe ngritjen e orkestrës rinore shqiptare./Abcnews.al/