Milani fiton sërish në Serinë A

schedule22:16 - 23 Shkurt, 2019

schedule 22:16 - 23 Shkurt, 2019

Trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo, nuk është plotësisht i kënaqur me skuadrën e tij, pavarësisht fitores së thellë në Serinë A. Ai pati kritika për lojën e lojtarëve në pjesën e parë.

Pak ditë më parë, erdhën për ta takuar disa legjenda.

Trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo, pati vizita në Milanelo nga yjet e së kaluarës si Pirlo, Odo dhe Ambrozini, të cilët u mblodhën bashkë me Paolo Maldinin dhe Leonardon.

E kaluara e Milanit dëshironte të falenderonte Gatuzon për të tashmen, duke pasur shpresë për të ardhmen.

Trajneri dhe skuadra e tij I dhanë një tjetër konfirmim me suksesin 3-0 ndaj Empolit në “San Siro”, një provë e re se gjithçka po shkon në rrugën e duhur.

Fitorja e ngjit skuadrën lombarde në 45 pikë pas 25 ndeshjeve të luajtura në Serinë A, duke mbajtur ritmin e rivalëve kryesorë për zonën Champions, dhe vetëm 1 pikë larg Interit, edhe pse zikaltërit ende nuk e kanë luajtur ndeshjen e kësaj jave.

Kristof Piontek nuk u ndal, por shënoi përsëri, madje ishte polaku që zhbllokoi rezultatin.

Gatuzo bëri vlerësimin, por pati edhe kritika.

“Nëse kemi shënuar 9 gola në 3 ndeshjet e fundit, është meritë e Piontekut, por edhe e shokëve që i krijojnë mundësinë që të shënojë, – janë fjalët e trajnerit, – Pjesa e parë më shqetësoi, nuk e nisëm aspak siç duhet, por rritja vjen edhe nëpërmjet paraqitjeve të tilla. Pas pushimit vrapuam më shumë pa top”.

Gatuzo pranon se ka lojtarë që janë të palumtur për minutazhin e paktë, por e quan diçka normale.

“Nëse një lojtar mbetet në stol dhe ndihet i lumtur, atëherë është problem, – u shpreh ai, – unë përpiqem t’i respektoj të gjithë, nuk kam preferenca kur aktivizoj lojtarët, e rëndësishme është të shihemi drejt e në sy kur takohemi dhe flasim”.

“La Gazeta delo Sport” është gjithnjë e më shumë e bindur: Milan, e premtja e majme! Tre gola edhe ndaj Empolit, dhe -1 nga Interi!

“Il Korriere delo Sport”: Shënon gjithnjë ai! Piontek i pandalshëm, goli i 7-të me Milanin dhe i 18-ti në Serinë A! Përfundon 3-0 me Empolin, dhe zikaltërit janë vetëm 1 pikë larg!

Bashkë me Piontekun shënuan edhe Frank Kesi dhe Samu Kastijeho, për të forcuar pozitat në vend të katërt në kampionat. abcnews.al