Raporti i OKB: 11 % e popullsisë venezualiane ka emigruar si pasojë e krizës

schedule11:32 - 23 Shkurt, 2019

schedule 11:32 - 23 Shkurt, 2019

Sipas raportit më të fundit të OKB-së, rreth 11 për qind e popullsisë totale të Venezuelës ka emigruar nga vendi që nga 2018 për shkak të krizës ekonomike dhe politike në vend.

Janë 3.4 milionë afërsisht 11 për qind e popullsisë totale, venezuelianët e emigruar nga vendi i tyre për shkak të krizës politike dhe ekonomike. Shifrat janë konfirmuar nga raporti i komisariatit të lartë të OKB-së për refugjatët dhe nga organizata ndërkombëtare për emigrantët. Në një deklaratë për shtyp në Gjenevë, të dy organizmat konfirmuan se mesatarisht në viitn 2018, pesë mijë venezuelianë në ditë janë larguar nga vendi. Nëse ky fluks do të vijojë të mbetet i tillë, OKB parashikon se në fund të 2019-ës emigrantët do të jenë 5.3 milionë, pra 17 për qind e popullsisë. Numri më i madh i tyre ndodhet tashmë në Kolumbi, 1.1 milion, në Peru 506 mijë, ndërsa të tjerët janë shpërndarë në Kili, Ekuador, Argjentinë dhe Brazil.

Ndërkohë Moska vijon të këmbëngulë se ndihmat humanitare janë thjesht një justifikim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sulmuar ushtarakisht vendin me qëllim rrëzimin nga pushteti të Maduros. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, deklaroi ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosnin në kufi me Venezuelën trupa speciale dhe mjete lufte. Ajo theksoi se një provokim serioz në shkallë të gjerë është parashikuar për në 23 shkurt: kalimi i kufirit venezuelian nga kamionët me ndihma humanitare, të mbështetur nga Uashingtoni; veprim që mund të shkaktojë përplasje të dhunshme mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të administratës aktuale në vend. Ky do të ishte një pretekst i mirë për një sulm ushtarak për  të larguar nga posti presidentin Maduro, u shpreh ajo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!