Në prill të vitit 2017, i gjithë grupi parlamentar i mazhorancës PS-LSI bashkë me ministrat, ishin mbledhur për të festuar ngjarjen e madhe sipas kryeministrit Rama, inagurimin e inceneratorit të Elbasanit.
Fytyrat entuziaste të ministrave dhe deputetëve të mazhoranës PS-LSI, përcillnin me ëndje fjalën e kryeministrit kur me pasion po tregonte para tyre e gjithë shqiptarëve në lidhje live, fjalën e fundit të teknologjisë që po zbatohej për menaxhimin e mbetjeve në Elbasan.
Me po kaq entuziazëm, audienca e përbërë prej ministrash e deputetësh përcolli fjalën e ministrit të mjedisit Lefter Koka I cili po ndjehej më krenar se kurrë për zgjedhjen që kishte bërë institucioni që ai drejtonte me strategjinë për menaxhimine mbetjeve.
Kryeministri dhe disa ministra ishin angazhuar në një kohë rekord për të miratuar të gjithë procedurën e marrëveshjes për inceneratorin e Elbasanit. Një shpejtësi në përgatitjen e dokumentacionit që do t’ia kishte zili për nga shkathtësia e veprimit, çdo administrate në të gjitha vendet e botës.
Kështu që skeptikët, këshilltarët e Fierit, me siguri u bindën atë ditë kur iu bëri thirrje kryeministri nga Elbasani se duhet ti bindeshin kësaj zgjidhje sepse ishte fjala e fundit e shkencës
Dhe në të vërtetë ata u bindën shumë shpejt sepse brenda pak kohësh do të miratohej marrëveshja me kompanitë e përzgjedhura për inceneratorin e Fierit. Dhe padyshim shumë shpejt edhe për atë të Tiranës ku nuk kishte asnjë skeptik sepse vetë kryebashkiaku kishte marrë vendimin në emër të këshillit bashkiak për ti hapur rrugë pikës së fundit në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve sipas direktivave të BE-së.
Ndryshe kishte pretenduar ministri i mjedisit i kohës, Lefter Koka, kur deklaronte në promovimin e inceneratorit të Elbasanit se investimet private janë shumë më të mëdha se ato publike.
E gjithë kjo procedurë e bërë vetëtimthi, u krye në shkelje të Planit kombëtar për menaxhimin e mbetjeve të miratuar nga qeveria shqiptare, e cila parashikonte një hierarki që bazohej në direktivat e Bashkimit Evropian. Sipas kësaj hierarkie përparësi kryesorë do të duhej të kishte parandalimi, ripërdorimi dhe riciklimi dhe zgjidhja e fundit parashikohej asgjësimi ose incenerimi i mbetjeve.
Emisioni Vetting është duke bashkëpunuar me INA media, për një cikël me emisioni dedikuar aferës korruptive me inceneratorët. Një projekt i financuar nga ambasada amerikane.
Në këtë emision do të përqendrohemi tek mënyra se si janë devijuar direktivat e BE-së si dhe pasoja që solli marrëveshja e incenarotorëve tek komuniteti i ndërtuesve.
Si u ndryshuan direktivat e Bashkimit Evropian për menaxhimine mbetjeve
Emisioni Vetting është duke bashkëpunuar me INA media, për një cikël me emisioni dedikuar aferës korruptive me inceneratorët. Një projekt i financuar nga ambasada amerikane.
Në këtë emision do të përqendrohemi tek mënyra se si janë devijuar direktivat e BE-së si dhe pasoja që solli marrëveshja e incenarotorëve tek komuniteti i ndërtuesve.
Në pikën 2.1.1 të Strategjisë kombëtare për menaxhimine mbetjeve theksohet si më poshtë:
Sipas planit të menaxhimit të mbetjeve 2010-2025, të miratuar nga qeveria shqiptare me asistencën e Bashkimin Europian, deri në vitin 2020 Shqipëria duhet të ndërtonte 12 landfilde inxhinierike për grumbullimin e mbetjeve bashkiake sipas standardeve të BE-së. Mbështetur në këtë strategji, U ndërtua landfilli i Bushatit, në Shkodër dhe landfilli i Bajkaj në Sarandë, më pas Landfilli i Sharrës. Me miratimin e inceneratorëve u shkel edhe marrëveshja me donatorët gjerman GIZ që kishin marrë përsipër ndërtimin e Lanfilleve.
Ekspertë të mjedisit hodhën alarmin për zgjedhjen e gabuar që kishte bërë qeveria duke sinjalizuar për kosto shumë të larta shëndetësorë që vijnë nga incenerimi por edhe për kosto të larta financiare që sjell kjo metodë e menaxhimit të mbetjeve
Ekspertët sinjalizuan se metoda e incinerimit aplikohet e fundit në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve në të gjitha vendet e BE-së.
Eksperti i mjedisit Argon Lamko tregon se si janë devijuar direktiva evropiane, duke sqaruar edhe tarifën për dherat e pakontaminuar, bashkë me mbetjet e tjera të ndërtimit.
Direktiva e Parlamentit dhe Këshillit Europian, në pikën 2 përjashton nga fushëveprimi, dheun e pa ndotur dhe materialet e tjera natyrore të gërmuara gjatë ndërtimit, kur ka siguri se këto materiale në gjendjen e tyre natyrore mund të përdoren në hapësirën ku janë gërmuar.
Tarifa absurde për dherat e pakontaminuar
Ndërsa Qeveria Shqiptare, me Vendimin nr.575 të 24 qershorit të vitit 2015, obligon ndërtuesit që këto mbetje të ndërtimit, edhe në rastin kur nuk janë të rrezikshme si dherat e pakontaminuar, t’i transferojnë tek operatori i lendfillit përkatës. Në rastin e Tiranës tek Koncensionari “Integrated Energy B.V.”, ku, përpos kostove të transportit të mbuluara nga ndërtuesit, ata duhet të paguajnë edhe një tarifë shtesë. Por, a u konsultua, kjo vendimmarrje me grupet e interesit?
Mungesa e transparencës sipas Agron Lamkos, ekspert mjedisi dhe ish punonjës i Ministrisë së mjedisit për 15 vjet, nuk e përjashton asnjë strukturë, ku de fakto vendimet merren brenda mureve politikë.
Kështu, pavarësisht se edhe “direktivat” ligjore shqiptare, për një proces legjitim vendimmarrje do të kërkonin njoftimin e institucioneve të interesuara, së paku 30 ditë përpara miratimit, jo vetëm Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, por edhe strukturat e tjera të prekura kanë qenë të përjashtuara, ndërsa vendimet ata i konsiderojnë sa absurde aq edhe në dëm të biznesit.
Ndërtuesit nuk kundërshtojnë tarifën kur flitet për dherat e kontaminuara, madje ata nuk kundërshtojnë as faktin e transportit dhe të grumbullimit të këtyre dherave në landfillin e Sharrës. Por, quajnë absurd taksimin, për materiale ndërtimore që mund të ripërdoren dhe që sipas tyre nuk mund të konsiderohen mbetje, aq më pak e rrezikshme. Siç ata shpjegojnë tarifa për mbetjet e ndërtimit varion nga 450 në1000 lekë për ton.
Ndonëse në pamje të parë, krijohet ideja se këto taksa rëndojnë mbi buxhetin e firmave të ndërtimit. Në fakt ndodh ndryshe. Ndërtuesit, të gjitha tarifat, “i shkarkojnë” tek klienti.
Mirëpo komuniteti i Biznesit, jo vetëm që u përjashtua nga konsultat për këto vendimmarrje, por vijuan të shpërfilleshin edhe në vitet në vijim nga të gjitha institucionet e përfshira , ndërsa kërkonin rishikimin e tarifës shtesë të dherave.
Pavarësisht mos reagimit të institucioneve shtetërore, ndaj kërkesës së komunitetit të biznesit, për ndërtuesit do të ishte me kosto tepër të lartë refuzimi i pagesës së kësaj tarife, pasi Inspektoriati i Mjedisit dhe policia bashkiake do të viheshin në veprim, së pari duke pezulluar ndërtimin e më pas duke gjobitur biznesin.
Kështu, jo vetëm që ndërtuesit janë të detyruar t’i përgjigjen tarifës, por për absurd, në rast se do të kishin nevojë përsëri për këto materiale ndërtimi, do t’u duhet jo vetëm që të paguajnë sërish kostot e transportit, por edhe ta riblejnë.
Agron Lamkaj: Si e skualifikoi Lefter Koka kompaninë zvicerane për menaxhimin e mbetjeve
Eksperti i mjedisit, Agron Lamko, ish punonjës në ministrinë e mjedisit, tregon se si u skualifikuan kompani serioze të riciklimit të mbetjeve vetëm me qëllim që I gjithë procesi të finalizohej me miratimin e aferës korruptive me inceneratorët. Ai tregon se përballë alternativës së inceneratorëve të Elbasanit, Ferit e Tiranës, ka pasur oferta më kosto shumë më të ulët dhe cilësi më të lartë për menaxhimin e mbetjeve.
Nëse shohim ligjin “Për mbeturina” të Kosovës, vërejmë se neni 3 është në përputhje të plotë me Direktivën Evropiane, ndërsa udhëzimi nr 05/07, specifikon se mbetjet e ndërtimit si guri, dheu apo rëra të konsideruara si jo të rrezikshme, mund të depozitohen në vende si hapësira nga janë nxjerrë, hendeqe të krijuara në mënyrë natyrale ose gjatë mbushjeve inxhinierike, vende të degraduara nga shembjet ose rrëshqitjet e dheut, hapësira të tjera të zbuluara për bazamente të objekteve ndërtimore etj. Por, ajo që vihet re në legjislacion është edhe kujdesi i veçantë që synohet ti bëhet ndarjes së mbetjeve që në burim. Në këtë kontekst, eksperti i mjedisit Agron Lamko, konteston trajtimin që u bëhet mbetjeve ndërtimore në landfillin e Sharrës.
Tarifa e dherave, është vetëm një nga tentakulat tarifore që mbledh të ardhura, në favor të kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, në bazë të kontratës që ka firmosur në 31 gusht të vitit 2017, mes ish Ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe administratorit Giuseppe Ciaffaglione. Siç dikton Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin “Drejtoria e Konçesioneve – Ministria e Financave dhe Ekonomisë” të fundvitit 2019, ku vë në fokus projektin e Inceneratorit të Tiranës, vetë Ministria e Financës në atë kohë, pavarësisht se e miratoi, kishte identifikuar se projekti koncesionar nuk rezultonte brenda tavaneve buxhetore të Ministrisë së Mjedisit.
Çështja e inceneratorëve përfshin një gamë të gjerë shkeljesh të rënda ligjore të cilat u tentua të fshihen pas propagandës së qeverisë se teknologjia e incenerimit ishte një nga më të mirat në vendet e Bashkimit Evropian. Por eksperti i mjedisit argumenton të kundërtën.
Firma zviceriane 4HT nuk kërkonte as dëmshpërblim për vlerat që do përpunoheshin, se kishte teknologji të avancuar. Ricikloheshin të gjitha mbetjet.
Lamko thotë se përpjekjet për të vlerësuar këtë ofertë, sipas tij, fitimprurëse për shqiptarët, i ka bërë edhe tek ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në një kohë që firma 4HT përgatiti edhe dokumentacionin.
Kështu, në vendimarrje, ligjet mbeten një fasadë sipas Lamkos, sepse de fakto “urdhrat” vijnë nga maja e hierarkisë së pushtetit. E në këto rrethana, specialistëve nuk u kërkohet të shqyrtojnë, por, në më të mirën e rasteve të heshtin.
Por, kur vendimmarrja është e përqëndruar në pak zëra, ku specialistët përjashtohen, si mund të veprojë shoqëria shqiptare ndaj aferave korruptive që bëhen përmes buxhetit të taksapaguesve vendas?
Në një proces abuziv, pa marrë parasysh asnjë reagim të faktorëve të ndryshëm, qeveria shqiptare devijoi nga direktivat e BE-së dhe i dha përparësi pikës së fundit në hierarki që është incenerimi për të finalizuar një proces korruptiv.
Sot pas rreth katër vitesh kjo rrugë që ndoqi kryeministri Rama dhe ministrat e tij në mandatin e parë qeverisës, ka përfunduar në një prej skandaleve më të mëdha korruptive që janë shënuar në historinë e gjatë të korrupsionit qeveritar në Shqipëri.
Për inceneratorin e Elbasanit është arrestuar ish-ministri I mjedisit, Lefter Koka. Është koha për t’iu kthyer fjalimeve pompoze të kryeministrit në fillimet e historisë së aferës korruptive me inceneratorët.
Ndërkohë që SPAK ka tashmë nën hetim jo vetëm inceneratorin e Elbasanit por edhe atë të Fierit dhe të Tiranës. Nëse do të ketë një proces serioz hetimi, pritet që në rrjetën e SPAK të bien kësaj radhe peshqit vërtetë të mëdhenj që janë përgjegjës për aferën korruptive me inceneratorët.
Çdo ndërtues është i detyruar të transportojë drejt landfilleve dherat që nxirren nga ndërtimet. Këto dhera çohen me detyrim në landfill dhe për ti depozituar një ndërtues është i detyruar të paguajë taksë. Më vonë, nëse ndërtuesit i duhet një sasi dheu për të përmbushur nevojat e projektit ku ndërton, atëherë ai është o detyruar ta blejë sasinë e dheut që kishte depozituar më herët në landfill, për të cilën kishte paguar taksë. Këtë taksë ndërtuesit e cilësojnë apsurde, ndërkohë që velrësojnë se dherat e pakontaminuar nuk mund të konsiderohen mbetje për incenerim. Vetting ka pyetur ndërtues dhe ekspertë të mjedisit për këtë çështje të cilët shprehën pakënaqësitë lidhur me këtë takes. Vetting ka kërkuar informacione pranë Bashkisë së Tiranës por deri në momentin që u transmetua ky emision, nuk ka një përgjigje nga bashkia. Në këtë emision është trajtuar taksa e dherave si dhe problematika e procesit të tenderimit të inceneratorëve.
Ky dokumentar është një produkt i @abcnews.al, zbatues të projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e @QJournalism, @albanianmediainstitute dhe @Qendrafol.al, mbështetur nga @usembassytirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media