“Ka tradhti që lëndojnë më shumë se të tjerët”. Me këto fjalë, ylli i ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, komentoi deklaratën e mbesës së saj, Marion Marechal, se ajo synon të mbështesë kundërshtarin e saj politik, Eric Zemour, në presidencialet e ardhshme franceze.
Marrëdhënia e dy zonjave bionde është tensionuar. Marion Marechal nuk e mbështet më “gjakun e saj”, tezen e saj Marine, në fushatën elektorale për presidencën franceze.
Pa llogaritur që tezja e ka rritur si të ishte fëmija i saj dhe e ka ndihmuar të mësojë marifetet e politikës, ajo shfaqet më snob se Marine Le Pen.
Duke dashur të shkruajë historinë e saj në partinë e ekstremit të djathtë të Francës dhe duke injoruar në mënyrë të dukshme liderin e saj, në vitin 1992, kur ishte vetëm 2 vjeçe ajo pozoi në krahët e gjyshit të saj në një poster fushate me sloganin: “Siguria është e para”. Në moshën 22-vjeçare ajo u zgjodh deputete, duke fituar titullin e përfaqësuesit më të ri kombëtar që nga koha e Revolucionit Francez, përcjell abcnews.al.
Marion Marechal iu bashkua partisë së tezes së saj, por kur u bë nënë, vendosi të kujdeset më shumë për familjen e saj. Për gazetën franceze “L’Express”, shkaqet e rivalitetit mes tezes dhe mbesës duhen kërkuar në strategjinë politike që ato ndjekin.
“Nga njëra anë, Le Pen luan me mbesën e saj rolin e ‘policit të mirë dhe të keq’, për të marrë sa më shumë vota në prag të zgjedhjeve”, thotë Jill Ivaldi, ekspert i ekstremit të djathtë dhe shton: “Nga ana tjetër, Marion simpatike përqafon pikëpamjet ultra-konservatore të gjyshit të saj të dashur dhe patriarkut të së djathtës ekstreme franceze, Jean-Marie Le Pen. Ajo është e bindur për abortin. Jo vetëm që i thotë “jo” të drejtës së grave për abort, por bën thirrje për heqjen e të gjitha subvencioneve nga fondet e sigurimeve për abortet , akuzon Kishën se e ka braktisur këtë betejë dhe sulmon feministët.
Goditja e tretë për Marin Le Pen
Për yllin e ekstremit të djathtë francez, fakti që gjaku i saj vendosi t’i kthente shpinën, ishte goditja e tretë.
Dy eurodeputetë në partinë e saj kanë kaluar tashmë në anën e nacionalistit dhe ish-gazetarit Eric Zemour: Gilbert Kolar dhe Jerome Riviere.
Mirëpo, ajo që tha Marion në gazetën “Parisien” i theu zemrën Le Pen. Fakti që Marion nuk ka në plan të mbështesë tezen e saj ka rënë si bombë në qarqet politike franceze, ku analistët politikë vlerësojnë se qëndrimi i saj mund të ndryshojë të dhënat e zgjedhjeve të prillit.
Marrëdhënia mes Marine Le Pen dhe mbesës ka qenë shumë e ngushtë. Mes dy grave, urat tani duken sikur janë prerë. Ato nuk janë parë bashkë që nga vera e vitit 2021, sipas burimeve të revistës “Paris Match”. Marion Marechal, e cila është shtatzënë me fëmijën e saj të dytë, u martua me eurodeputetin italian Vincenzo Sofo.
“Marine dhe Marion nuk janë thjesht teze dhe mbesa. Marin e ka rritur që e vogël. Natyrisht që çështja na dhemb edhe neve. Marion ka një anë oportuniste”, thonë qarqe të Marin Lepen, e cila ka përjetuar shumë tradhti familjare në karrierën e saj.
Marine Le Pen, në një prononcim për kanalin televiziv “CNeës” akuzoi mbesën e saj për një vendim “ të dhunshëm dhe ekstrem”. “Unë dhe Marion kemi një histori të veçantë, sepse e kam rritur me motrën time në vitet e para të jetës së saj, kështu që (ajo që ajo tha) është diçka e dhunshme, ekstreme, e vështirë për mua,” tha vajza e ekstremit të djathtë francez, Jean Marie Le Pen. g.v/abcnews.al