Një gruaje 88 vjeçare nga Londra i kanë vendosur një implant syri pionier për të ndihmuar në rivendosjen pjesërisht të shikimit të saj të përkeqësuar. Proçedura kirurgjikale në Spitalin e syve “Moorfields” përfshinte futjen e një mikroçipi 2 mm të gjerë nën retinën e saj duke krijuar në mënyrë kirurgjikale një “derë kurth” në të cilën qëndron çipi. Syzet speciale që përmbajnë një kamerë të lidhur me një kompjuter të vogël të lidhur në brez bëjnë të mundur shikimin.
“Jam e emocionuar që jam e para që kam këtë implant,” tha gruaja. Pacienti vuan nga forma më e zakonshme e degjenerimit makular të lidhur me moshën dhe implanti ofron shpresën e rikuperimit pjesërisht të shikimit për ata me atrofi gjeografike .Kjo gjendje është progresive dhe aktualisht nuk ka trajtim raporton “BBC”.
Pasi mikroçipi është futur nën retinën e pacientit, ai kap skena vizuale të projektuara nga syzet dhe e transmeton atë në kompjuter. Algoritmet e inteligjencës artificiale e përpunojnë këtë dhe i udhëzojnë syzet se ku të fokusohen. Syzet më pas e projektojnë atë imazh si një rreze infra të kuqe përmes syrit dhe në çip, dhe e shndërrojnë atë në një sinjal elektrik që shkon “në tru, ku interpretohet sikur të ishte vizion natyror”. Gruaja tha se sëmundja e kishte ndaluar atë të punonte në kopsht, të luante lojën me birila dhe të pikturonte me bojëra uji.
Ajo shtoi: “Jam e emocionuar për mundësinë që të shijoj sërish hobit e mi dhe shpresoj me të vërtetë që edhe shumë të tjerë do të përfitojnë nga kjo”. Kirurgu Mahi Muqit në Spitalin e Syve Moorfields, tha: “Kjo pajisje novatore ofron shpresën për rikthimin e shikimit te njerëzit që vuajnë nga humbja e shikimit për shkak të formës më të zakonshme të degjenerimit makular”. Ai tha gjithashtu që “suksesi i këtij operacioni dhe provat e mbledhura përmes këtij studimi klinik, do të ofrojnë prova për të përcaktuar potencialin e vërtetë të këtij trajtimi”.
Një burrë nga Londra në nëntor u bë personi i parë në botë që i’u vendos një sy protezë i printuar 3D në të njëjtin spital. / abcnews.al